E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë më shumë vepra skulpture në parkun Rinia

Skulpturat e realizuara në javën e Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës, nga tetë artistë nga vendeve të ndryshme të botës, të vendosura tashmë në parkun Rinia të qytetit, do ta bëjnë edhe më të këndshme shëtitjen tradicionale të qytetarëve në këtë park. Ky aktivitet ndërkombëtari i mbajtur këtë vit nga datat 27 qershor-6 korrik, filloi vitin e kaluar, me synimin e bashkisë së Korçës, për të tërhequr sa më shumë vizitorë dhe pushues, por edhe për ti shtuar qytetit vlera të reja artistike figurative ndryshe nga ato të trashëguara prej vitesh si Busti i minatorit apo Kufitari, që kanë mbetur pidestale bosh diku në anë të rrugës së parkut Rinia.Ideja e bashkisë si organizatore e këtij aktiviteti artistik të përmasave ndërkombëtare, është që në përfundim të këtij projekti, 5 vjeçar në qytetin e Korçës të krijohet një galeri veprash të artit figurativ. Mbyllja e  edicionit të dytë të këtij simpoziumi në një nga lulishtet e parkut Rinia, ku të rinj e të reja, qytetarë të ndryshëm, realizonin foto në krah të skulpturave të reja, që i ngjanin atyre që realizojmë rëndom nëpër qendra qytetesh të huaja, pranë veprave të artit ishte me të vërtetë mbresëlënëse. Afro një javë punë intensive nga artistët pjesëmarrës në këtë aktivitet dhe blloqet e bardha të gurit janë shndërruar në vepra artistike që tashmë mbeten pasuri kulturore e qytetit të Korçës. Guri i bardhë i zonës së Skraparit, në blloqe masive mbi dy metra, është punuar nga dora e skulptorëve shqiptarë por dhe të ardhur nga Zelanda e re, Italia, Gjermania etj. Artistët pjesëmarrës përfitojnë një stimul material  prej 2 mijë euro për krijimin e veprave të tyre, të cilat mbeten pasuri kulturore e qytetit të Korçës. Vitin e kaluar, skulptura e krijuara, u vendosën në të dy anët e rrugës kryesorë të Parkut Rinia dhe në lulishten përpara pallatit të kulturës Vangjush Mio. Edhe këtë vit, pjesa më e madhe e veprave të artit të krijuara nga artistët pjesëmarrës të këtij aktiviteti do të vendosën në ambientet e këtij parku, por edhe në mjedise të tjera publike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›