E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingu i qetë, qetësia e Berishës dhe podiumi qetësor i Ramës

Nga Besi BEKTESHI
Një vit i kaluar nga Gërdeci është një vit i kaluar nga një fatkeqësi që ka lidhje me një keq administrim shtetëror i elementit të rëndësishëm që është ushtria, korrupsioni që lidhet me tregtinë e fishekëve dhe të bronzit, firmave të çuditshme të 22- vjeçarëve dhe një shteti që lejon të punojnë si skllav, fëmijë dhe fshatarë të shkretë, që duan të nxjerrin bukën e gojës. Për Gërdecin si një fenomen i të gjitha atyre që përmenda më lart, përpara se të shpërthente ajo ditë e rëndë me viktima dhe shkatërrime, nuk u kujtua askush. Nuk u kujtua shtypi shqiptar dhe televizionet. Nuk e identifikuan dhe nuk ndoqën as aferën dhe as krimin që po ndodhte me njerëzit në Gërdec, megjithëse aty punonin fëmijë dhe gra dhe ishte një fshat i impenjuar të derdhte barut dhe të mbante gëzhoja topash dhe predha. Jo, as media nuk e ka kapur këtë moment që fillonte edhe me transportin e predhave nga depot. Pastaj nuk u kujdes kush nga ushtria, por sidomos nga Ministria e Mbrojtjes që të shikonte së paku majën e ajsbergut që ishte shfrytëzimi i njeriut dhe më pas në qoftë se do të kishte edhe korrupsion brenda kësaj poshtërsie njerëzore. Jo, as këto dy elementë nuk u kujtuan. Nuk u kujtua shërbimi sekret i ushtrisë dhe ai i shtetit. Nuk u kujtua as policia dhe as prokuroria dhe as shoqatat e tona të interesuara nganjëherë për të tilla gjëra. Por mund të akuzohet qeveria për korrupsion, dhe kjo as që diskutohet dhe kjo ndodh mbasi plas Gërdeci, por si nuk u bë gjallë askush në Shqipëri për një monstruozitet që po ndodhte vetëm 15 km larg Tiranës dhe vetëm 3-4 km larg në vijë ajrore me aeroportin e Rinasit.
Si ka mundësi që askush nuk është interesuar për Gërdecin dhe se çfarë po bëhej atje???... Si ka mundësi?? Ka mundësi në një klasë të tillë politike dhe në një shtet që është model i kësaj klase politike. Sepse është klasa politike që interesohet vetëm për problemet e saj sepse ajo është e qetë për problemet e popullit që përfaqëson.
Mos të kishte qenë gabimi njerëzor, Gërdeci dhe Diverolët e të tjerët, do të kishin përfunduar punën e tyre dhe po ashtu edhe ato që opozita e sotme i quan të korruptuar dhe kriminelë shtetërorë. Shpërthimi ishte një, dhe interesi gjë tjetër!!
Përveç shpërthimit dhe fatkeqësisë njerëzore dhe materiale që ai ka shkaktuar, çdo gjë ka qenë e qetë në Shqipëri. Një qetësi tipike e politikës që shikon vetëm përftimin e saj, duke ditur mirë se është përgjegjësi e të gjithëve dhe patjetër kryesisht e qeverisjes.
Qetësia e këtij rasti përfshi e Prokurorinë është një shembull që me vdekatarët poshtë, ose më mirë të themi me njerëzit që e pësojnë, klasa politike e jona bën vetëm shoë. Asgjë tjetër. Vetëm të huajt interesohen për gjërat e tyre dhe sidomos për krimin e fishekëve dhe matrapazllëqet me to, sepse për të tjerat e shtruara më sipër, në fund të fundit pak ju intereson. Të qetë në përballimin e situatës në kohën e fatkeqësisë. I qetë Rama me Berishën pikërisht në këtë kohë, I qetë Mediu në dorëheqjen e tij. Të qeta masat e marra për rindërtimin e Gërdecit. I qetë parlamenti edhe pse polemikat kanë vazhduar, por verifikimi i ngjarjes nga ky tempull demokracie nuk u bë. Të shumëllojshme akuzat për aferën Gërdec, por të qeta situatat dhe personat që në fakt ishin dashur për të dalë prej kohe në gjyq. Çdo gjë e qetë dhe kjo me sa duket tregon pjekurinë tonë të sotme politike. Tani vijmë një vit më pas. I qetë mitingu i Ramës dhe kjo është një arritje demokracie në drejtimin e mos acarimit politik. I qetë edhe Berisha atë ditë kur kujtohej Gërdeci, të qetë edhe disa ambasadorë dhe sidomos njeri që vështronte edhe mitingun sidomos për qetësinë e tij dhe pjesëmarrjen e madhe të njerëzve të qetë që nuk harronin. Mirëpo i qetë ishte edhe podiumi i Ramës në qendër të bulevardit të Tiranës në mes të ish KQPPSH- së dhe Kryeministrisë dhe që kishte në të, edhe pamjet e shpërthimit. Si ka mundësi kjo!!??? Qetësia vjen, sepse janë të gjithë brenda në shpërthimin e Gërdecit si në pozitë dhe opozitë. Janë të gjithë brenda në atë shpërthim, sepse e kanë ditur, por nuk kanë bërë zë.... Janë të gjitha mekanizmat e shtetit dhe pushtetit përfshi edhe median, që nuk janë interesuar se çfarë po ndodhte shumë pak larg Tiranës!!! Kjo është vetëm njëra. Por qetësia vjen edhe si rezultat e katastrofës politike që ne përjetojmë dhe që e ka emrin politikë e ndytë që nuk pranon të ndajë njëherë  përgjithmonë urat nga krimi dhe korrupsioni. Rama falenderon qetësinë e treguar nga njerëzit në miting - marrshim dhe përkujtim të një vjetorit të Gërdecit. Natyrisht që ka të drejtë, sepse në fakt çdo gjë shpërthyese i duhet lënë vetëm asaj dite të një viti më parë.
Atij i duhej vetëm podiumi, për të mbajtur fjalimin elektoral dhe një qetësi e madhe për të shprehur, dhe këtë gjë ja ka siguruar edhe Berisha me qetësinë e tij. Rama ka siguruar nga ndërkombëtarët një bravo për marshimin e qetë dhe pa thirrje e flamuj partish dhe Berisha po ashtu, një bravo të madhe se ka siguruar qetësinë e Ramës dhe të njerëzve në mitingun-marrshim. Jemi të gjithë të lumtur se "demokracia dhe qetësia është siguruar dhe për më tepër i kemi treguar ndërkombëtarëve se jemi të qetë dhe të pjekur politikisht. Rama tregon se ka ndjekës pas tij dhe përtej të majtës dhe të djathtës dhe Berisha se lejon të tilla manifestime të një profili të lartë europian dhe nuk e humbet qetësinë. Në fakt...ky miting dhe kjo qetësi, nuk është arritur për të prekur zemrat e shqiptarëve, por për të mbyllur gojët dhe siguruar aprovimin e ndërkombëtarëve.
Por pse kaq të qetë në këto momente? Në fakt përgjigja duhet gjetur në memorien tonë kolektive të zgjatur në kohë. Sa qetë në vitet 90-të arritëm të kalojmë në demokraci?
Por u acaruam në 92- shin. Sa qetë vazhduam deri në 96- tën? Por u acaruam në 97- 98- tën. Sa qetë pritëm luftën në Kosovë? Por a thua qetësitë tona janë kur reflektojmë apo ka diçka tjetër brenda? Jo, ne nuk bëjmë asgjë qetë dhe kjo dihet edhe pse e kemi pësuar nga rrëmujat dhe shthurjen e shtetit. Nuk është se kemi zënë mënd, por se kemi një arsye tjetër e cila fut brenda edhe qetësinë e kërkuar. Tani politika (politikanët) jonë nuk e kërkon më popullin e saj revolucionar, sepse ka se çfarë të humbë. Po, dhe kjo është arsyeja e vërtetë. Sepse...humb milionat e investuara me biznesin më të madh dhe të suksesshëm të vetëm shqiptar, që është po politika. Humb milionat e investuara dhe ato që mendohen të investohen. Humb ajo, prandaj ka edhe qetësi. Kjo është qetësia e atyre, që janë në majë të suksesit në pasurim dhe legjitimim të këtij suksesi që është krejtësisht korruptiv. Prandaj sa më qetë që të jetë e mundur, për të vazhduar dhe projektuar pasurim akoma më të madh dhe më të sigurt.
Qetësi......

Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 16:19

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›