Durrës, bllokohen tetë plazhe private
Në nisjen e pikut të fluksit të pushuesve që pritet të kalojnë sezonin veror në gjirin e Durrësit, Drejtoria e Tatim-Taksave ka ndërmarrë një aksion për shmangien e konkurrencës së pandershme që ka lulëzuar në plazh. Dhjetëra punonjës të Kontrollit Tatimor, kanë zbritur në terren me qëllim konfiskimin e shërbimeve të paligjshme që operojnë në plazhin më të madh të vendit.
Shezllonet e vendosura në mënyrë ilegale janë konfiskuar nga tatimorët, ndërsa janë gjobitur edhe shumë subjekte që kanë shkelur kontratat. Aksioni për bllokimin e plazheve private të palicensuara,është ndërmarrë në një hapësirë prej afro 3km vijë bregdetare, duke nisur nga zona e Currila dhe duke vijuar plazhit tradicional në Iliria. Nga këto kontrolle, sipas Shkëlqim Fortuzit Drejtor i Tatim- Taksave Durrës, janë konstatuar 8 plazhe private të palicencuara, si dhe janë sekuestruar rreth e 150 çadra dhe shezllone që i përkisnin këtyre subjekteve.
Aksioni i kontrollit pritet te shtrihet përgjatë gjithë sezonit turistik në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit, , dhe ka për qëllim krijimin e hapësirave publike në plazhe si konfiskimin e plazheve private për mos-shlyerje të detyrimeve financiare në shtet. /M.Brunga/