Korçë, në kërkim për vjedhje dhe trafik droge, prangosen 2 persona
Të kërkuarit e policisë juglindore janë vënë në shënjestrën e bluve në Korçë, hiqen nga lista dy të arrestuarit e 24 orëve të fundit. Drejtoria e Policisë në Korçë nga orët e para të mëngjesit djeshëm ka ndërmarrë një operacion për kapjen në shkallë qarku të të gjithë personave të shpallur në kërkim. Lista është e gjatë me plot 20 emra për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që dy të parët kanë përfunduar në pranga. Duke iu referuar burimeve zyrtare të Drejtorisë se Policisë në Korçë mësohet se i arrestuari i parë ka qenë nga qyteti i Ersekës.
Enver Avdyli, 46 vjeç, nga Erseka është kapur në banesën e tij, ndërsa ishe shpallur në kërkim për veprën penale trafikimit të lëndëve narkotike. I arrestuari kishte disa kohë që ndodhej në listën e të shumëkërkuarve, ndërsa dyshohej se për disa muaj fshihej në shtetin grek. Kanë qenë forcat e policisë nga Drejtoria e Policisë në Korçë si dhe specialistët e krimeve të rënda të cilët kanë bërë të mundur prangosjen e Avdylit. Ndërkaq, i arrestuari i dytë brenda harkut të 60 minutave ka qenë Genci Ilo, 34 vjeç, banor i qytetit të Korçës. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se Ilo është shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes. Operacioni i prangosjes të të shumëkërkuarve vazhdon, ndërsa të njëjtat burime sqarojnë se priten arrestime të tjera të shumta.