E Diel, 1 Nëntor 2026

Gloria Campaner Tinguj pianoje për Dashurinë dhe vdekjen e Izoldës

Pianistja e njohur italiane çel ciklin e koncerteve të majit në TKOB
Stina koncertore në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vijon të sjellë emra të talentuar artistësh nga vende të ndryshme të botës. Ciklin koncerte e majit e çel pianistja e njohur italiane Gloria  Campaner. Koncerti i cili do të zhvillohet në datën 3 maj në skenën e TKOB do të jetë nën dirigjimin e prof. Zhani Cikos. Për publikun do të luhen pjesë nga veprat e autorëve të njohur botërorë si F. Chopin, Wagner-Liszt (Dashuria dhe vdekja e Izoldës), nga opera "Tristan dhe Izolda", S. Rachmaninov koncert 2 për piano dhe orkestër etj. Ky koncert, i cili është i pari që zhvillohet në kuadër të koncerteve të majit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të vijojë më pas me të tjerë koncerte, të cilët do të sjellin për publikun tinguj të mrekullueshëm të vepra muzikore të cilat mbajnë firmën e autorëve të njohur botërorë. Pianistja Campaner ka një aktivitet të ngjeshur artistik, duke interpretuar jo vetëm në skenat italiane, por dhe në ato botërore. Kështu artistja ka mbajtur shumë koncerte në Europë, Japoni, Turqi, Kazakistan, Izrael, Amerikën e Jugut, duke marrë vlerësimet më të larta të publikut dhe kritikës. Shumë shpesh koncertet e saj janë regjistruar dhe transmetuar në RAI, C&N, Sky Classica, B-B Radio (Baden Baden), RTSI (Radio Televizioni i Zvicrës). Përmenden shumë bashkëpunime në Itali dhe jashtë me artistë si Ivry Gitlis, Marcello Abbado e Joost Vrounraets, koreograf dhe balerin i Maurice Bèjart Ballet Lousanne. Në cilësinë e pedagoges, Gloria është ftuar të mbajë masterclass në Itali dhe jashtë si pranë Konservatorit të Shtetit Mimar Sinan të Stambollit dhe Akademisë Ndërkombëtare Kaznam të Astanës në Kazakistan. Ndërkohë që koncerti i datës 3 maj në skenën e TKOB premton për një mbrëmje të mrekullueshme me Orkestrën Simfonike të TKOB, nën shoqërinë tingujve të pianos së artistes italiane.
Të dhëna mbi pianisten
Pianistja Campaner ka lindur në Jezolo (Venezia) në vitin 1986. Fillon studimet e pianos që në moshën 4-vjeçare nën drejtimin e prof. Daniela Vidali. Menjëherë afirmohet në majat më të larta të shumë konkurseve pianistike kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë më shumë se 20 çmime të para absolute dhe duke dhënë koncerte në të gjithë Italinë. Në moshën 12 vjeçare debuton si soliste me Orkestrën e Venetos në Teatrin e qytetit të saj të lindjes. Nxënëse e Bruno Mezzena-s, në 2005 diplomohet me notë maksimale në Konservatorin e Udines dhe një vit më vonë ndoqi diplomën tre-vjeçare të perfeskionimit të lartë pranë Akademisë Muzikore të Peskarës duke marrë notën maksimale në ekzekutimin e Koncertit të II-të të Rachmaninovit. Gloria ka perfeksionuar formimin e saj muzikor pranë docentëve dhe muzikantëve me famë ndërkombëtare si J. Sëann, S. Perticaroli, B. Lupo,  A. Jasinskij, G. Gruzman, M. Tirimo, D. Bashkirov, duke ndjekur seminare dhe masterklas në Itali dhe jashtë saj pranë institucioneve të famshme si Mozarteum në Salsburg, në Akademinë e Imolës, Hertford College në Oxford dhe Konservatorin e Zvicrës Italiane në Lugano. Aktualisht po perfeksionohet me Konstantin Bogino-n dhe është regjistruar në Konservatorin e Muzikës në Karlsruhe në Gjermani, nën drejtimin e Fany Solter. Ndërmjet shumë çmimeve dhe vlerësimeve, në vitin 2008 fiton çmimin e III-të absolut në Konkursin Pianistik Ndërkombëtar Çmimi Shuman në Lamporecchio (PT) ku mori dhe çmimin e publikut, çmimin e dytë absolut në Edicionin e 13-të të Turneut Ndërkombëtar të Muzikës, në vitin 2007, triumfon në Konkursin e Società Umanitaria di Milano, duke regjistruar edhe një Cd për Maister Musica Bern . Është anëtare e përhershme e Akademisë së Muzikës së Dhomës në Bari. Prej vitit 2006 luan duo me violinistin Daniele Orlando me të cilin janë perfeksionuar me docentë të shquar si Ana Chumachenco, Bruno Mezzena, Felice Cusano, Pier Narciso Masi, Massimo Quarta. Prej vitit 2008, Gloria Campaner është emëruar artiste zyrtare e Steinway & Sons.

Last Updated on Thursday, 30 April 2009 13:34

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›