Lezhë, digjet banesa, policia heton shkaqet e dyshimta
Një banesë është djegur plotësisht në fshatin Balldre të Lezhës, por për fat ka shkaktuar vetëm dëme materiale, pasi në banesë nuk ka pasur njeri. Edhe pse zjarrfikësit kanë mbërritur shumë shpejt, nuk është mundësuar që të evitoheshin dëmet materiale. Ekspertë të policisë nuk kanë dhënë ende asnjë version mbi shkaqet e rënies së zjarrit.
Vetë familjarët që janë prekur nga djegia e banesës kanë deklaruar se kjo ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme. Sipas Luigj Dedëgjonajt, i afërmi i kryefamiljares të cilës i është djegur banesa, ekspertët e policisë duhet të hedhin dritë mbi të vërtetën,duke deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që zjarri të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike. Ai e ka argumentuar këtë me faktin se në kohën kur ka marrë flakë shtëpia, asnjë orendi shtëpiake nuk ka qenë e ndezur dhe se nuk ka pasur asnjë luhatje tensioni. Vetë kryefamiljarja Vitore Dedëgjonaj është shprehur se ka parë një gjurmë në dritaren e banjës dhe se rrjeta që qëndron në këtë dritare ka qenë e hequr. Ajo nuk di të shpjegojë nëse kjo është kryer nga zjarrfikësit apo nga ndonjë keqbërës, ndaj kërkon ndihmën e ekspertëve për të zbardhur të vërtetën. Familja Dedëgjonaj në fshatin Balldre të Lezhës është përfshirë edhe një herë tjetër në një fatkeqësi e tillë 6 vite më parë, duke i kushtuar jetën kryefamiljarit Rrok Dedëgjonaj. Zjarri ishte shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi, duke lënë të vdekur 50- vjeçarin Dedëgjonaj.