Korçë, nis rifreskimi i Shtëpisë Rumune, në shërbim të aktiviteteve kulturore
Shpëton nga agonia një nga ndërtesat më unikale në qytetin e serenatave. Shtëpia Rumune, siç njihet rëndom nga korçarët, ka marrë dhe emërtimin e saj të veçantë nga një familje rumune që jetoi aty në fillimet e saj, ndonëse arkitektura nuk e lidh aspak me Rumaninë. E kanë quajtur Shtëpia Rumune dhe gjendet pikërisht në bulevardin kryesor të qytetit të Korçës.
Ajo është një nga ndërtesat më karakteristike të qytetit juglindor dhe pas një vendimi të bashkisë së qytetit, tashmë është përfshirë nga një rikonstruksion i plotë i saj. Ndërtesa më e rrallë nga pikëpamja arkitekturore ka përfituar një fond, falë të cilit do të kryhet rikonstruksioni i pjesëve të dëmtuara të godinës. Përtej kësaj, dhe krahas ruajtjes së vlerave që mbart kjo ndërtesë, nga ana e bashkisë së qytetit është menduar që Shtëpia Rumune të përshtatet në një qendër rinore, ku të rinjtë e këtij qyteti do të ndërmarrin aktivitet e tyre. Në godinën e pozicionuar në qendër të qytetit në bulevardin Gjergj Kastrioti, tashmë kanë nisur punimet, të cilat nuk do ta cënojnë aspektin arkitekturor të godinës, përveçse do të realizojnë një rifreskim total të saj. Me një fond prej 6.5 milionë lekësh të bashkisë së Korçës ka filluar prej pak ditësh ndërhyrja në këtë objekt, ku do të kryhen rregullimet në çatinë prej llamarine, rikonstruksioni i brendshëm i ambienteve dhe ndërrimi i dyerve dhe dritareve. Ndërkaq, sipas të dhënave nga bashkia, me mbylljen e punimeve është parashikuar që ambientet e kësaj shtëpie të shfrytëzohen për aktivitete kulturore për rininë. "Kemi menduar të sjellim një imazh ndryshe në zonën pedonale të qytetit ku një nga objektet më karakteristike është kjo ndërtesë. Prej kohësh këtu nuk janë kryer punime dhe as rikonstruksione të pjesshme duke e degraduar ndërtesën. Krahas faktit se do të kryhen riparimet pa prekur fasadën dhe anën karakteristike të këtij objekti, këtë herë është menduar që të ambientet e shtëpisë të shfrytëzohen për aktivitete kulturore. Ideja është që ndërtesa të kthehet në një qendër rinore, ku të rinj të përzgjedhur të pajisur edhe me kartën e bashkisë ta shfrytëzojnë këtë ambient për aktivitete kulturore, për takime në partneritet me biznesin dhe shoqërinë civile, për kurse të ndryshme kualifikimi profesional etj.", ka thënë kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, në një prononcim të tij për gazetën tonë.
Last Updated on Friday, 06 March 2009 11:53
Last Updated on Friday, 06 March 2009 11:53