Korçë, numërohen më shumë se një e treta, Peleshi 1 mijë vota para
KORÇË- Procesi i numërimit të votave ka nisur në qarkun e Korçës, në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ndërkaq, në qytetin e Pogradecit ky provës është shoqëruar me probleme dhe debate të cilat kanë vijuar gjatë. Vetëm në orën 10:00 të paradites të së hënës, në qytetin e Pogradecit ka nisur numërimi, duke u vendosur normaliteti. Përsa i përket numërimit të votave në pjesën tjetër të qarkut juglindor, gjithçka ka ecur në normalitet të plotë. Në plot 419 qendra votimi, në të gjithë qarkun e Korçës, në të cilën është kryer votimi me disa probleme të vogla, në disa raste teknike janë dorëzuar materialet zgjedhore, teksa ka nisur numërimi ndonëse jo me ritme të larta. Ajo që vihet re gjatë numërimit, deri në këto momente, në komunat e qarkut të Korçës janë konfirmuar si kryekomunarë përfaqësues të PD. Kështu ka mbaruar krejtësisht procesi i numërimit dhe është shpallur fitues kandidati i PD, Flamur Berberi, ndërsa komuna drejtohej nga PS dhe konkretisht nga Vaskë Çinoku, i cili rikandidonte për një mandat të dytë. Në komunën Bulgarec rikonfirmohet Artur Lisi, kandidati i PD, i cili rimerr një mandat të dytë. Në komunën Drenovë, në rrethin e Korçës ka fituar Flamur Sala i PD. Ndërkaq ka përfunduar numërimi edhe për Bashkinë Maliq, në të cilën është rikonfirmuar për një mandat të tretë Gëzim Topçiu i PS. Gjithashtu në Bashkinë Ersekë ka fituar kandidati i PS, Ali Laho, me 1548 vota përballë kandidates të LSI, Zhaneta Prifti, e cila ka marrë 1232 vota. Për sa i përket Bashkisë Korçë rezulton të jenë numëruar 20 qendra votimi, ku PS me kandidatin e saj, Niko Peleshi ka marrë 5522 vota, ndërsa kandidati i PD Andrea Mano ka marrë 4358 vota. Ndërkaq në Bashkinë Pogradec, kandidati i PS Artan Shkëmbi, në 14 kuti votimi, nga 28 gjithsej, ka siguruar 3930 vota, kundrejt vetëm 2816 që ka marrë kandidati i LSI-së Luan Topçiu. Në Leskovik, tashmë ka përfunduar numërimi dhe PD me kandidatin e saj, Fatmir Guda, ka marrë 838 vota dhe PS Sergei Peshtani 503 vota. Në Bashkinë Bilisht, PD me kandidatin e saj Valter Miza ka marrë 2638 dhe PS, Haki Ajçe, 1971 vota.
Ky është rezultati pas përfundimit të numërimit të 9 kutive të votimit.