Shkodra majtas jo, djathtas
SHKODËR- Shkodra mbetet bastioni besnik i të djathtës. Në orën 02.15 të së martës është bërë përfundimi i dorëzimit të materialeve të të gjitha qendrave të votimit në qarkun e Shkodrës. Shërbimet policore kanë shoqëruar komisionet e qendrave të votimit dhe materialet përkatëse për në 5 KZAZ e qarkut Shkodër. Të fundit kanë qenë materialet e dy qendrave të votimit të komunës malore të Temalit. Procesi i numërimit të votave ka nisur në kohë të ndryshme në 5 KZAZ-të e këtij qarku, ku më herët ka nisur në KZAZ nr.44 në rrethin e Pukës dhe në paraditen e së hënës ka nisur dhe në KZAZ e tjera. Vonesa në numërimin e votave në KZAZ-në nr.40 të Bashkisë Shkodër, ku materialet kanë arritur më shpejt ka ardhur për shkak se disa nga numëruesit e PS-së kanë qenë pa shkollë të lartë, dhe kjo është në kundërshtim me ligjin. Ndryshimi i tyre, duke vendosur numërues me shkollë të lartë, ka bërë që procesi i numërimit të fillojë më 12.45. Në KZAZ 41, që përfshin 6 komuna të zonës së Nënshkodrës, procesi i numërimit ka nisur rreth orës 10 të së hënës me komunën Bushat, e cila është njësia vendore me numrin më të madh të votuesve, dhe pasi janë numëruar gjysma e kutive kryeson me 74% të votave kandidati i Aleancës për Qytetarin, Zef Hila, kundrejt atij të Aleancës për të Ardhmen, Gojard Salja. Në KZAZ nr.42, ku përfshihen njësitë vendore të zonës së Mbishkodrës, numërimi ka nisur rreth orës 11.30 me komunën Rrethina, e cila ka numër më të madh votuesish, dhe deri në orën 16 kandidati i majtë Kleves Muja kryeson me rreth 300 vota mbi atë të PD-së, Gëzim Hardolli. Në këtë komunë ka kandiduar për kreun e saj dhe një kandidat i pavarur Lic Elezi, ish-në nënkryetar i komunës, si përfaqësues i PD-së, i cili deri në orën 16 ka marrë numër të konsideruar votash. Në KZAZ nr.43 të rrethi të Pukës ka përfunduar numërimi i votave për dy bashkitë e këtij rrethi, atë të Pukës dhe të Fushë-Arrëzit. Për Bashkinë Pukë, fitues ka dalë kandidati i PD-së, ish-nënprefekt i këtij rrethi deri para kandidimit për kreun e kësaj bashkie, Beqir Arifaj, i cili ka marrë 955 vota, kundrejt 802 që ka marrë kandidati i PS-së, Enver Sulejmani. Që nga viti 2003, Bashkia Pukë është drejtuar nga PS-ja. Në Bashkinë Fushë-Arrës ka fituar kandidati i PD-së, dhe kreu aktual i saj Alfred Qafa, i cili e drejton këtë bashki prej 1 viti e gjysmë. Në KZAZ nr.44 të rrethit Malësi e Madhe ka përfunduar numërimi në komunën e Gruemirës, dhe fitues me 300 vota më shumë ka dalë kandidati i PS-së, Lirim Nehani, i cili ka qenë dhe kryetari aktual i kësaj komune, por si përfaqësues i PD. Në qendrën e votimit të Stajkës, ku gjatë ditës së djeshme pati probleme, pasi u votua vetëm me një vulë, votat janë konsideruar të pavlefshme. Pavlefshmëri ka patur dhe për 203 vota të qendrës së votimit nr101në Zues të komunës Rrethina, ZAZ 42, pasi kanë munguar kundrafletët. Në Komunën Rrëthina ka fituar kandidati i PS-së, Klevis Muja, me një diferencë prej 850 votash ndaj rivalit të tij të PD-së, Gezim Hardolli, i cili po kërkonte mandatin e radhës në krye të kësaj komune. Ky i fundit ka bërë një gjest për t’u përshëndetur, duke i dhënë dorën fituesit socialist e duke pranuar denjësisht humbjen.