E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, operacioni "Pranvera" shkatërron rrjetin e klandestinëve

Prangosen 3 persona, mes tyre një 27 vjeçare
Tre të arrestuar midis të cilëve dhe një vajzë është bilanci i një operacioni të policisë juglindore. I koduar Pranvera, operacioni është organizuar në rrethin e Devollit. Kalimi ilegal i klandestinëve shqiptarë drejt kufirit të shtetit grek kundrejt pagesës vazhdon të jetë një fenomen në rritje në qarkun e Korçës, ndërsa grupet e organizuara të klandestinëve me udhërrëfyesit që paguhen për këto lëvizje kanë filluar sërish të rikthehen në veprim kjo dhe me përmirësimin e kushteve të motit. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë, operacioni Pranvera është organizuar nga sektori i krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë në Korçë në bashkëpunim dhe me krimin e organizuar të Tiranës. Ylli Palla, 48 vjeç, banor i fshatit Koshnicë në rrethin e Devollit, Florian Martaneshi, 25 vjeç, nga Tirana dhe Lele Hamzallari, 27- vjeçare, nga Pogradeci, janë të arrestuarit e policisë. Të tre këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të kalojnë në drejtim të Greqisë nëpërmjet kufirit shtetëror në rrethin e Devollit plot 5 shtetas, mes të cilëve dhe dy vogëlushë. Mësohet se klandestinët të gjithë së bashku do të paguanin plot 6 mijë euro kur të mbërrinin në destinacion, ndërkohë që janë kapur nga policia në shtëpinë e Ylli Pallës, në fshatin Koshnicë, ku ishin duke u strehuar në përgatitje për të ndërmarrë udhëtimin në këmbë nga mali. Klandestinët ishin nga Tirana dhe Lushnja, ndërsa destinacioni i tyre ishte qyteti grek i Selanikut. Mikpritësi i tyre ka qenë 48- vjeçari Palla, ndërsa ata janë transportuar nga Pogradeci në drejtim të fshatit kufitar të Koshnicës nga shtetasja Lule Hamzallari, e cila i ka transportuar me mjetin tip benz të Pallës me targë DV 1410 A. Ndërkaq, klandestinët në banesë i priste përveç të zotit të shtëpisë dhe njeriu që i kishte gjetur ata shtetasi Florian Martaneshi nga Tirana. Sipas informacioneve të policisë, kjo e fundit ka kapur të tre organizatorët e këtij trafiku bashkë me klandestinët, ndërsa në banesën e Pallës është gjetur dhe një sasi droge e llojit kanabis sativa, në peshën 1.6 gram. Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit është akuza që rëndon mbi tre të arrestuarit, ndërsa burime të policisë vendore thonë për gazetën se pritet të ketë ndalime të tjera në rrjetin që dyshohet se vepronte prej disa kohësh për transportimin e klandestinëve nga rrethe të ndryshme të vendit drejt Greqisë.

Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:44

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›