E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, punonjësit e bashkisë me listë në mitingun e PS

Mitingjet e së dielës konfirmuan përçarjen e së majtës nga ana e kryesocialistit
Mitingjet e së dielës u shndërruan në një provë muskujsh nga dy partitë e opozitës. Përfaqësimi i LSI në mitingun e së dielës, tregoi se kjo parti ka një numër konstant mbështetësish duke sjellë në tregun politik një pol të tretë, jo në nivelet e dy partive të mëdha, por që krijon fushë magnetike që mund të tërheqë të pakënaqurit nga partitë e mëdha. Në të kundërt mitingu i Partisë Socialiste, megjithëse pati angazhimin maksimal të lidershipit të saj, nuk solli asgjë të re. Kryebashkiaku kryesocialist, megjithëse kishte dhënë urdhër që punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe të Durrësit të ishin prezentë në miting (bashkia ka rreth 3500 punonjës megjithë ndërmarrjet e saj), PS, së bashku me aleatët e saj nuk ishin në gjendje të krijonin imazhin e një mitingu madhështor, miting që realisht duhet të mbushte sheshin Skënderbe. Pavarësisht autobusëve që mbushën stadiumin Dinamo me njerëz të ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe pavarësisht pjesëmarrjes me dhunë të punonjësve të bashkive të sipërpërmendura, mitingu i së dielës, i të majtëve të Edi Ramës dhe Erion Velisë, ishte dështim i plotë. Mitingu i organizuar nga Edi Rama, përveç imazhit mediatik të kamerave të fokusuara mbi mitingashët, në realitet pasqyroi dështimin e politikës përçarëse të Edi Ramës në gjirin e së majtës. Mitingu i parë nga lart tregonte qartë se vizioni i përcjellë nga kamerat ishte i rremë. Sheshi Skënderbe ishte mbushur deri te kioska që është vendosur mbi shatërvanët e dikurshëm, ndërkohë që skalione njerëzish qëndronin të shpërndarë në pikat kyçe të sheshit Skënderbe, si midis Hotel Tiranës dhe Muzeumit, te ish- busti i Enver Hoxhës, apo dhe te teatri i Kukullave. Gjithë hapësira tjetër deri te shatërvanët ishte bosh. Kjo zhvendosje njerëzish dhe ky konfigurim i mitingashëve drejtohej nga vetë Edi Rama dhe nga disa persona të tjerë, të cilët janë besnikët e tij. Pra pavarësisht trukut të organizatorëve, i cili në këtë luftë muskujsh ishte mëse normal, pjesëmarrja e dobët u pasqyrua edhe në luftën mediatike të asaj dite nga mediat pranë Edi Ramës, të cilave ju shua entuziazmi. Mitingjet e së dielës treguan në realitet epërsinë e PS në njerëz në krahasim me LSI, por nëse llogarisim edhe raportin e forcave 1 me 2 në favor të PS, sërish bilanci i PS në zgjedhjet e ardhshme do të jetë negativ, për arsye se pa LSI e majta do e ketë të pamundur ardhjen në pushtet. Nëse ditën e diel PS dhe LSI do të ishin së bashku, ai shesh i trukuar nga Edi ama do të ishte plot dhe në njëfarë mënyre do të tregonte se opozita e bashkuar e ka të sigurt fitoren e zgjedhjeve të qershorit. Për lidershipin socialist, mitingjet e së dielës treguan qartë se politika e tyre e përçarjes do të prodhojë humbjen e zgjedhjeve. Përgjegjësinë për këtë përçarje e ka lideri i socialistëve, Edi Rama, i cili e ka futur të majtën shqiptare në një rrugë pa krye. Në fakt, nëse zgjedhjet e 28 qershorit do të sjellin humbjen e së majtës, përgjegjësia kryesore për këtë humbje bie mbi liderin socialist, Edi Rama, i cili kërkon të marrë pushtet absolut nëse fiton i vetëm.  Për Edi Ramën, humbja e zgjedhjeve të 28 qershorit rrezikon seriozisht karrierën e tij politike. Tashmë në lojë është futur edhe Fatos Nano, i cili para disa ditësh lëshoi sinjale të qarta për socialistët dhe lidershipin e saj për të mos futur të majtën në qorrsokak. Nëse Edi Rama humb zgjedhjet, dorëheqja nga posti i kryetarit bëhet i paevitueshëm, fakt që i rrezikon seriozisht karrierën e tij politike. Lufta e muskujve në mitingjet e së dielës tregoi qartë për lidershipin e PS, se fitorja e zgjedhjeve të ardhshme është mision i pamundur për ta për sa kohë do të jenë të përçarë. Përveç LSI, shkëputja e Petro Koçit, me një suport underground nga ana Nanos do të sjellë një rrudhje tjetër për ta. Nëse kjo e majtë do të shkojë në këtë gjendje në zgjedhje, Sali Berisha konfirmohet sërish kryeministër. Në fakt, megjithëse Edi Rama deri tani ka treguar forcën në raport me rivalin e tij brenda së majtës, nuk ka asnjë interes të bëjë mazokistin duke krijuar një lloj vetëvrasje politike. Loja e Edi Ramës me LSI tashmë është shndërruar në një lloj rulete ruse, ku gjithçka varet nga fati. Në fakt, nëse Rama humbet shumë nga këto zgjedhje, për Ilir Metën llogaritë janë më pozitive. Nga një forcë e re në krahasim me PD dhe PS, LSI dalëngadalë po rekuperon terrenin drejt një poli të tretë. Brenda LSI nuk ka asnjë Nano, apo kundërshtar të tijin që të rrezikojë Ilir Metën, ndërkohë që për Edi Ramën qëndron në gatishmëri gijotina ndëshkuese e kundërshtarëve të tij brenda partisë. Në kushtet e sotme, e vetmja alternativë e Ramës që e majta të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit është bashkimi i së majtës me çdo kosto, në të kundërt humbja i sjell largimin e tij nga PS dhe së shpejti edhe nga bashkia. Për sa njihet, kryesocialisti Rama dihet që është lojtar i pazareve dhe ka treguar se gjuha e forcës nuk është gjuhë që e çon deri në fund. Eksperienca ka treguar se Edi Rama në momentet e fundit ka gjetur gjuhën me Ilir Metën në zgjedhjet lokale, ka gjetur gjuhën me Sali Berishën për shumë pazare dhe do të gjejë sërish gjuhën me Ilir Metën. I vetmi shans për Edi Ramën është bashkimi i së majtës, përndryshe plumbi i vetëm, i ruletës ruse duket se do i qëllojë atij, duke e nxjerrë përfundimisht nga politika.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›