E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, panik në qytet, shpërthen dyqani i gazit

Tre shpërthime të njëpasnjëshme kanë shkatërruar dyqanin e gazit, dy dyqane të tjera pranë tij dhe shtëpinë dykatëshe

Policia: Për fat të mirë nuk ka pasur dëme në njerëz. Zjarri i dytë që vjen nga bombolat e gazit

KORÇË- Qyteti i Korçës përfshihet nga paniku teksa një shpërthim i fuqishëm ka hedhur në erë një dyqan bombolash gazi si dhe një shtëpi dhe disa dyqane të tjera përreth. Shpërthimi i parë është pasuar edhe nga dy të tjerë duke terrorizuar banorët në afërsi të qendrës së qytetit. Njerëzit e frikësuar janë larguar me shpejtësi duke boshatisur të gjitha lokalet disa çaste pas shpërthimeve, por dhe shtëpitë disa metra larg vatrës së zjarrit. Ngjarja e pazakontë e cila ka tronditur jo vetëm banorët e kësaj zone tejet të populluar ka ndodhur gjatë paradites së djeshme dhe për fat të mirë kanë munguar viktimat apo të lënduarit.

Dëshmitarët okularë pohuan se ishte ora 9.30 e mëngjesit kur tre shpërthime të forta brenda një harku të shkurtër kohor kanë mbajtur pezull frymën e të gjithëve. Duket se fati ka ndihmuar me dhjetëra kalimtarë, por dhe më shumë se 200 banorë të një pallati që është vetëm 20 metra larg vatrës së shpërthimit. Për fat të mirë vatra e zjarrit është lokalizuar menjëherë nga mjetet zjarrfikëse, ndërsa është punuar për të larguar prej andej të gjitha bombolat e rrezikshme. Ngjarja e cila ka ndodhur në zonën e quajtur “Trekëndëshi” ka çuar në kohë forca të shumta policie por dhe mjetet zjarrfikëse, ndërkohë që janë evakuuar të gjithë të pranishmit që ndodheshin fare pranë vatrës së shpërthimit për të evituar dhe ndonjë lëndim të mundshëm të tyre. Duket se zjarri ka ardhur pikërisht nga dyqani i bombolave të gazit, ku njëra prej tyre mësohet të jetë përfshirë nga flakët. Disa persona që kanë qenë brenda njësisë së shitjes kanë dalë të alarmuar jashtë. Kaq është dashur që ankthi dhe paniku të përfshijë me dhjetëra qytetarë. Flakët e shumta dhe tymi kanë përkeqësuar situatën.

Disa orë më pas, gjithçka është shfaqur ndryshe. Dyqani i bombolave të gazit nuk ekziston fare, ndërsa janë dëmtuar pjesërisht një banesë dykatëshe ngjitur me të si dhe dy dyqane të tjera fare pranë tij. Forcat zjarrfikëse kanë shkuar në kohë në vendin e ngjarjes, ndërsa telefonata të shumta kanë mbërritur pranë MKZ në Korçë. Por nga ana tjetër, policia e qarkullimit rrugor për më shumë se tre orë ka bllokuar të gjitha lëvizjet në këtë segment të rëndësishëm të qytetit që të shpie në shëtitoren “Fan Noli”, në të cilën ndodhej dhe dyqani i tregtarit të bombolave të gazit. Ndërhyrja në kohë e mjeteve zjarrfikëse dhe evakuimi i njerëzve nga forcat e policisë ka shmangur një tragjedi me përmasa të mëdha në qytetin juglindor të vendit, ndërkohë që situata është marrë menjëherë nën kontroll të plotë. Burimet zyrtare të policisë së Korçës bëjnë të ditur se pavarësisht shpërthimeve të fuqishme dhe dëmeve materiale, nuk janë regjistruar viktima apo të plagosur. Sipas tyre, ky është dhe zjarri i dytë që vjen nga bombolat e gazit brenda dy muajve të fundit në qytetin e Korçës. Një zjarr i tillë ka shpërthyer dhe në një pallat trekatësh ku aktualisht gjashtë familje kanë mbetur ende jashtë pa asnjë zgjidhje.

-----------Dyshimi

Nis hetimi i licencës së dyqanit të gazit

KORÇË- Për sa i përket djegies së dyqanit të bombolave të gazit në zonën e “Trekëndëshit” në Korçë, kanë nisur dhe hetimet e policisë lokale. Ndonëse ekspertët janë duke punuar për të përcaktuar dhe vlerën e dëmit që është i lartë, pasi janë djegur bashkë me dyqanin e bombolave një banesë si dhe disa dyqane të tjera në afërsi të tij, hetimet vazhdojnë. Mendohet që shkak i këtij shpërthimi të jetë bërë rrjedhja e gazit në njërën prej bombolave e cila ka marrë flakë dhe që më pas ka provokuar shpërthimin e trefishtë. Gjithsesi grupi i ekspertëve ende nuk ka dalë në një përfundim konkret, ndërkohë që është duke u parë me mjaft kujdes se çfarë leje posedonte dyqani që është shkrumbuar duke rrezikuar dhe jetën e dhjetëra banorëve të qytetit. Për më tepër janë duke u parë me hollësi dokumentet edhe se kush ka lejuar që një tregtim i bombolave të rrezikshme të bëhet në një zonë të banuar dhe tejet të populluar. Nga hetimet e para është mësuar se në këtë dyqan bëhej mbushja e bombolave të vogla me gazin e lëngshëm që ndodhej në disa depozita. Pikërisht ky proces i rrezikshëm mendohet se është edhe shkaktuari i shpërthimit që për pak nuk përfundoi në një tragjedi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›