E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen, vetëdorëzohet në polici vrasësi i rojës

Pas negociatave me policinë dhe të afërmit, Gjin Lleshi ka pranuar që të dorëzohet për të përfituar ulje dënimi

RRËSHEN- Është vetëdorëzuar dje në polici i akuzuari si autor i vrasjes së rojës 53- vjeçar dy ditë më parë në mjediset e brendshme të ish- ndërmarrjes së grumbullimit në periferi të qytetit të Rrëshenit. Sipas burimeve policore, autori i vrasjes së djeshme, Gjin Lleshi, u vetëdorëzua rreth orës 12.30 të ditës së djeshme tek uniformat blu të komisariatit të Mirditës pas negociatave që vetë policia ka pasur me të afërm të tij dhe vetë atë. Duket se reflektimi ka ardhur pas pak orësh kur atë e ka lënë pija. Ai ka pohuar në polici se nuk ka ditur se çfarë ka bërë në gjaknxehtësi e sipër, ndërsa ka shprehur pendesë për vrasjen e bërë për motive krejt të rëndomta.

Gjin Lleshi, e kreu vrasjen dy ditë më parë, rreth orës 14.30 në mjedise e ish-ndërtesave të grumbullimit në periferi të Rrëshenit kur ka shkuar me mjetin e tij tip benz me autovinç për të marrë hekurishtet e porositura tek privati Sadik Lame që i posedonte ato. Por roja i magazinave private i ka thënë se nuk mund ta lejonte të kalonte me makinë atje pasi ishte urdhëruar nga pronarët e magazinave pasi në jo pak raste nga futja e makinave brenda këtij territori ishin kryer vjedhje. Por edhe pse roja Gjergj Ndreca, baba i dy fëmijëve, ka këmbëngulur ta sqaronte se duhej të kthehej ose të kalonte nga një shteg tjetër për të shkuar tek hekurishtet, Gjin Lleshi, ka zbritur nga makina dhe ka filluar zënkat me rojën, ndërsa është munduar të qetësojë gjakrat dhe poseduesi i hekurishteve Sadik Lama, por pa mundur ta arrijë një gjë të tillë. Po aty afër ka qenë dhe fëmija 10- vjeçar i Gjergj Ndrecës, ndërsa skena shikohej nga disa familjarë që jetojnë në kthina të magazinave apo tek ish- frigoriferi. Nuk kanë kaluar pak minuta kur Gjin Lleshi ka vënë në përdorim armën pistoletë duk e goditur me dy plumba në kokë dhe një të tretë që i kanë marrë jetën menjëherë rojës 53-vjeçar. Sapo ka bërë këtë vrasje, ai është larguar përmes pyjeve të Zmesë për t’i shpëtuar ndjekjes policore e cila me forca të shumta të ardhura nga drejtoria e Lezhës është vënë në kërkim të tij.

Por dje duket se pas negociatave, Gjin Lleshi, ka vendosur më mirë të vetëdorëzohet sesa të rrijë i ndjekur gjithnjë nga policia. Pas vënies së prangave, 35-vjeçari është dërguar në dhomat e paraburgimit të Lezhës, nga ku pritet të merret dhe masa e arrestit, ndërsa për veprën e kryer mësohet se do të kalohet për hetim dhe gjykim në gjyqësorin e Krimeve të Rënda. Ndërkohë që në ambientetjashtëmagazinave pak metra larg vendit të vrasjes është kryer ceremonia mortore e rojës Gjergj Ndreca, i cili ka lënë dy fëmijë të mitur jetimë në gjendje të vështirë ekonomike,dhe ku tërë shpresat e familjes vareshin tek ai vend pune, për të cilin ai sakrifikoi dhe jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›