Pranga 26- vjeçarit, sajoi grabitjen me armë
VLORË- Grabitja me armë që ka denoncuar dy ditë më parë në Vlorë ka rezultuar vetëm një sajesë e 26 -vjeçarit Mahili. Hetuesit e Vlorës kanë vënë re se në dëshminë e tij kishte shumë detaje që nuk përputheshin dhe pas pak orë hetimesh kanë rrëzuar krejtësisht versionin e grabitjes me armë. Madje hetuesit kanë zbuluar se vjedhësi ka qenë ai vetë. Dje në mbrëmje policia ka arrestuar Gentjan Mahilin me banim në lagjen “Lef Sallata” të Vlorës me akuzën e vjedhjes dhe kallëzimit të rremë. Vetëm dy ditë më parë, 26 -vjeçari kishte denoncuar në policinë e Vlorës vjedhjen prej pesë milionë lekë të vjetër, të cilat ai i kishte për llogari të pronarit të fabrikës së qumështit në një fshat të Fierit, ku edhe ishte i punësuar. Djali u ka shpjeguar policorëve se në qafën e Bestrovës i kishte dalë një makinë Audi pa targa me katër persona brenda, të maskuar e dy prej tyre me armë kallashnikov që e kishin grabitur në kërcënimin e armës, por edhe e kishin dhunuar. Pasi kanë dyshuar në versionin e 26 -vjeçarit, efektivët kanë bërë kontroll dhe ia kanë gjetur një pjesë të lekëve në banesë. Pas shoqërimit e marrjes në pyetje, ai ka treguar se i ka dërguar paratë në shtëpi e më pas në zonën e Bestrovës ka shkuar vetë dhe ka goditur automjetin e vet, si dhe ka lenë shenja të ndryshme, duke simuluar një grabitje.