Korçë, përplas në dysheme foshnjën 40 ditësh pas sherrit me gruan
Një foshnje vetëm 40 ditësh është kthyer në “viktimë” e sherrit të prindërve të tij. Vogëlushi i cili kishte ardhur në jetë 40 ditë më parë është përplasur në dysheme nga babai i tij duke u dëmtuar rëndë në kokë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Libonik të Korçës kur 33-vjeçari Fredi Sali pas një sherri me bashkëshorten ka ‘shfryrë” nervat të fëmija i tij i vogël. Pas fjalëve të ndërsjella me bashkëshorten, 33-vjeçari i ka rrëmbyer nda duart foshnjën asaj duke e përplasur në tokë. E tmerruar nëna e re ka marrë fëmijën në dysheme për ti dhënë ndihmën e parë duke e transportuar menjëherë në spital. Mësohet se vogëlushi ka marrë plagë të rënda në kokë dhe ndodhet në rrezik për jetën, ndërsa policia ka arrestuar babain e fëmijës i cili akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje”.
Depresioni
Ndërhyrja e policisë dhe trajtimi i këtij rasti nuk ka qenë i lehtë për uniformat blu, për vetë faktin se kjo është një ngjarje shumë specifike. Deri më tani policia ka mbledhur të dhëna dhe pret ekzaminimin mjekësor të dhunuesit Fredi Sali, pasi nga sjellja e tij, mendohet se ai është në një gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe depresive si pasojë e disa problemeve të natyrës ekonomike dhe familjare. Nga dëshmitë e mbledhura nga gjitonët e kësaj familjeje, policia ka mësuar se “hareja” e kësaj shtëpie kishte kohë që ishte çrregulluar dhe se prej disa javësh sherret dhe “ulërimat” ishin shpeshtuar shumë. Policia i ka referuar të gjithë materialet prokurorisë së këtij qyteti, ndërsa pritet që në seancën e parë gjyqësore organi i akuzës të vendosë që babai i arrestuar të humbë kujdestarinë ndaj fëmijës së vetë.
Precedentët
Konfliktet familjare me pasoja të rënda duket se janë kthye në “modë” në vendin tonë. Vetëm një javë më parë një kryefamiljar i ka vënë “benzinën” shtëpisë së vetë, pasi e shoqja kishte kërkuar divorcin në Gjykatë. Ilir Tufollari u hakmor ndaj bashkëshortes e cila kërkoi hapjen e procesit gjyqësor për divorc duke i vënë zjarrin shtëpisë, por duke tentuar që ta paraqiste djegien e banesës si një rastësi. Ngjarja ndodhi në lagjen Babrru në periferi të Tiranës kur Ilir Tufollari, 46-vjeç i ka vënë zjarrin banesës e tij. Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe pas hetimeve të para zbuluan se zjarri ishte vënë me dashje nga kryefamiljari. Pas marrjes në pyetje të pjesëtarëve të familjes rezultoi se 46-vjeçari ishte në proces gjyqësor për të kryer divorcin nga bashkëshortja e tij. Kështu për tu hakmarrë ndaj gruas ai i ka vënë zjarrin shtëpisë me qëllim që ajo të mos merrte asgjë kur të largohej. Ndërkohë që kjo hakmarrje brenda familjes i ka kushtuar prangat Tufollarit i cili u arrestua për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”.
Arrestohet në “bazën” e Interpolit, i kërkuari shqiptar për vrasje
Është arrestuar dje në Francë(në Lion , kryeqendrën e Interpolit) nga oficerë të Interpolit një i ri shqiptar i cili akuzohet për disa vepra penale, si vrasje, si dhe përdorim të armëve dhe eksplozivëve në mënyrë të paligjshme. I akuzuari është Bledar Cafi, 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banorë prej disa vitesh në Francë. Policia franceze deklaroi sot se 30-vjeçari Bledar Cafi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për disa akuza por ai jetonte në Francë prej disa vitesh. Sipas vendimit të gjykatës në Rrethin Shkodër, për vrasjen e datës 27 korrik 2001 në banesën e tij të shtetasit Shyqyri Mustafaj, autorë janë Gani Cafi, Asllan Cafi dhe Bledar Cafi i cili është arrestuar sot nga policia franceze e Lionit për llogari të drejtësisë shqiptare. Vrasja sipas vendimit të gjykatës shkodrane, erdhi pasi sipas një prej dëshmive, në të cilën thuhet se: “Asllan Cafi, e vrau Shyqyri Mustafajn për arsye se Shyqyriu e çoi vajzën e tij në Tiranë ku dhe e ka martuar, pasi deri në atë kohë Asllani e ka pasur të dashur vajzën e motrës (të Shyqyriut) të quajtur Lindita”. Vendimi përfshin edhe të akuzuarit e tjerë Gani dhe Bledar Cafi si bashkautor të krimit. Por Gjykata e Lartë, mësohet se e ka prishur vendimin e datës 27 maj 2002 të gjykatës së Rrethit Shkodër, pas kërkesës nga Prokuroria e Përgjithshme. Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë është marrë më 9 korrik 2008 dhe përcakton: “Prishjen e vendimit nr.130, datë 27.05.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të të dënuarit Fatos Shyqyri Mustafaj dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues”.
Mbytet në një fuçi me ujë 2-vjeçari, ishte duke luajtur
Një fuçi me ujë e vendosur shkujdesur në oborrin e shtëpisë, i ka kushtuar jetën një djali 2-vjeçar i cili u mbyt teksa po luante. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në lagjen e ish-kënetës në Durrës, kur vogëlushi I.Murati ka qenë duke luajtur pranë një fuçie me ujë në oborrin e shtëpisë kur ka rënë brenda dhe në pamundësi për të dalë është mbytur duke gjetur dhe vdekjen. Prindërit e djalit kanë qenë në ambientet e brendshme të banesën në momentin që vogëlushi po përpëlitej në fuçinë me ujë. Kur kanë konstatuar ngjarjen, ka qenë e kotë pasi djali kishte ndërruar jetë. Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti pranë banesës për të zbardhur rrethanat. Burime nga policia thanë se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht.
9 Tetor 2009