E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët në protestë: E duam moshën e pensionit, 50 vjeç



Ashtu siç kishin paralajmëruar, minatorët kanë çelur dje serinë e protestave të tyre për moshën e pensionit. Paraditen e djeshme, minatorët kanë protestuar përpara dyerve të Kryeministrisë për të kundërshtuar vendimin e marrë para pak kohësh nga qeveria për uljen e daljes së moshës në pension. Sindikata e minatorëve ka kundërshtuar vendimin e Komisionit të Ligjeve për uljen e moshës për daljen në pension nga 65 në 60-vjeç, dhe ka kërkuar dialog me qeverinë, duke përsëritur kërkesën të rishikohet ligji për minatorët dhe mosha e pensionit të tyre. Minatorët janë shprehur se nuk gënjehen nga ligje të tilla dhe se kërkojnë dialog me qeverinë. Protesta e minatorëve u zhvillua së bashku me sindikata të tjera në vend që protestuan dje për Ligjin e pronave. Protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente.

Bashkëpunimi, ministri i Punës, pret një delegacion të Rajonit Emilio-Romano

Ministria e Punës do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë donatorët dhe organizatat që veprojnë në fushën sociale. Këtë deklaratë bëri dje ministri i Punës, Spiro Ksera, gjatë takimit me një delegacion të Rajonit Emilio-Romano në Itali. Ministri Ksera i siguroi bashkëbiseduesit se Ministria e Punës do të jetë serioze dhe korrekte në bashkëpunimin me çdo organizatë dhe donator në zbatimin e projekteve të përbashkëta në fushën sociale. Sipas Luka Pjetrit, përgjegjës i zyrës për Ballkanin, Shqipëria konsiderohet partneri i parë dhe më i rëndësishëm për këtë zyrë. Ai ka deklaruar se “jemi të interesuar që të forcojmë bashkëpunimin tonë veçanërisht në kuadër të projektit të ri për bashkëpunimin ndërkufitar mes vendeve të rajonit”.

Varfëria, Ksera takohet me përfaqësuesen e Bankës Botërore
në Shqipëri

Ministri i Punës, Spiro Ksera, priti një delegacion të Bankës Botërore të kryesuar nga përfaqësuesja e këtij organizmi në vend, znj. Camille Nuamah. Përfaqësuesja e Bankës Botërore u shpreh e kënaqur “me vëmendjen e rinovuar të qeverisë në hartimin e politikave eficiente në reduktimin e varfërisë ekstreme”. “Objektivi i qeverisë shqiptare për eliminimin e varfërisë ekstreme është në përputhje me atë të Bankës për uljen e varfërisë”,- u shpreh Nuamah, duke vijuar se në këtë moment, Banka Botërore është e shqetësuar se pasojat e recesionit do të bien veçanërisht tek të varfrit. Ministri Ksera falënderoi për ndihmën e dhënë nga Banka Botërore veçanërisht në realizmin me sukses të projekteve madhore në fushën sociale.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›