E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, depresioni çon në vetëflijim një polic dhe një emigrant



Një punonjës policie dhe një emigrant i kanë dhënë fund jetës sot për shkak të gjendjes depresive në të cilën ndodheshin. Të paktën këtë motiv ka dhënë policia pas hetimit të dy vetëflijimeve të ndodhura ditën e djeshme në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës. Ngjarja e parë u regjistruar në qytetin e Vlorës kur një 46-vjeçar punonjës policie i portit të Vlorës është kthyer në banesën e tij dhe i ka kërkuar bashkëshortes se do të qëndronte disa minuta vetëm në dhomë. Por vetëm pak çaste më vonë është dëgjuar dhe krisma e pistoletës ndërsa babai i dy fëmijëve gjendej në grahmat e fundit të jetës në dysheme. Ka qenë e kotë ndërhyrja e mjekëve pasi 46-vjeçari kishte ndërruar jetë. Policia deklaroi se dyshohet të ketë qenë gjendja e rëndë e depresionit në të cilën ndodhej punonjësi i policisë shkaku që e ka detyruar atë të ndërmarrë aktin fatal. Të njëjtin shkak dyshohet të ketë pasur edhe një 48-vjeçar i cili kishte vetëm 10 ditë që ishte kthyer nga emigracioni. Babai i dy fëmijëve është gjetur i varur në banesën e tij në fshatin Kaninë të Vlorës.

Kapet me pistoletë nga policia gjatë tentativës për të gjetur hasmin

Një sherr i hershëm banal do të përfundonte në tragjedi, nëse policia nuk do të kishte diktuar 18-vjeçarin të mbante një pistoletë me vete ndërsa ishte nisur për të kryer vrasjen. Burime nga policia thanë se ditën e djeshme kapën në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë 18-vjeçarin Emiljano Hajdari lindur në Shkodër e banues në Tiranë, pasi posedonte një armë zjarri pistoletë dhe dy krehra me 14 copë fishek pa leje. Menjëherë u krye arrestimi i tij ndërsa para oficerëve të policisë kriminale ai ka rrëfyer arsyen që ishte armatosur. Burimet policore thanë se adoleshenti e kishte siguruar pistoletën nga një i afërm i tij, dhe kishte për synim për të nise në qytetin e Beratit, me qëllim për të vrarë me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta, një shtetas. Por ndërhyrja e policisë duket se i ka shpëtuar jetën djalit nga Berati ndërsa ka çuar në qeli 18-vjeçari. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma dhe fishekët dhe u dërguan në laborator për ekzaminime të mëtejshme.

“Hienat” prangosin tre superhajdutë

Përmes operacionit të koduar “Hienat”, forcat e policisë së Pogradecit mundën të kapin tre persona të dyshuar për disa vjedhje të ndodhura kohët e fundit në zonat e këtij qyteti.
Sipas të, të ndaluarit janë Ermir Gora, 22 vjeç, A.C. 17-vjeç dhe L.C, 16-vjeç, që të tre lindur dhe banues në fshatin Buçimas të Pogradecit. Mësohet se këta tre persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa vjedhje në periudha kohore të ndryshme në Pogradec. Konkretisht, ata akuzohen për vjedhjen e një motori, të një lokali si edhe të një njësie tregtare.

Ndalohen katër persona në Shkodër, trafikonin klandestinë me 800 euro
Forcat e policisë së Shkodrës kanë ndaluar katër persona, për të cilët dyshohet se ndihmonin klandestinë të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit. Sipas të dhënave policore, të ndaluarit janë Fatmir Lushaj, vjeç 39, lindur e banues në fshatin Luz i Vogël të Kavajës; Kreshnik Bagosi, vjeç 22, lindur e banues në fshatin Vorrezen të Kavajës; Paskualin P., vjeç 16, lindur e banues në Plazhe të Velipojës si edhe Mirjan Rrasa, vjeç 21, lindur e banues në fshatin Reç të Velipojës. Ndalimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë ndihmuar të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin me Malin e Zi, me destinacion Italinë kundrejt shpërblimit 3.500 - 3.800 Euro, 4 të mitur. Ata tashmë rezultojnë të kenë konsumuar veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›