E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjithë burrat e Presidentit

"Kam shitur 130 milionë kopje disqesh dhe ajo që më habit më shumë është fakti se të gjitha kopertinat e albumeve nuk shihen me sy... Imagjinoni sikur të kishin qenë më të bukura", thotë duke qeshur Jon Bon Jovi. "Në vitin 1986, shtëpia diskografike dogji 300 mijë kopje të albumit ‘Slippery when wet‘, (diskun që e lançoi në të gjithë botën). Në kopertinën e atij albumi ishte një vajzë, mbi bluzën e të cilës ishte shkruar: ‘Më e rrëshqitshme kur është e lagësht‘ (përkthimi i ‘Slippery when wet‘). Nëse do të ishte publikuar ashtu, me gjithë atë ‘finesë‘, sot nuk do të ishim këtu".
Pra, ju arritët të shpëtonit një prej tyre?
Gjeta një i cili ishte bërë gjithë pluhur. E mora në dorë dhe mbi të shkrova titullin e albumit. Pastaj e fotografova dhe e bëra kopertinë. Nga ky album u shitën 30 milionë kopje.
Deri para një viti, për kritikët ju ishit një hedonist sipërfaqësor, një mbetje e viteve ‘80 me flokë me onde. Pas mbështetjes së Barak Obama-s jeni bërë një idhull i të gjithë amerikanëve dhe shtypit progresist...
Të jeni të bindur se nuk kam mbledhur fonde pro Obama-s. Fakti që mbështeta kandidatin demokratik bëri që shumë fansa të mi të zemëroheshin, sidomos në Teksas. Kritikët? Për mua nuk kanë rëndësi, shkruajnë idiotësira dhe pastaj bisedojnë me njëri-tjetrin në ndonjë lokal, siç ndodh gjithmonë. Albumi i ri, "The circle" është në krye të hitparejdit amerikan dhe anglez: kjo është përgjigjja më e mirë për ata që e kanë zakon të llomotisin pas krahëve.
Presidentit i pëlqen muzika juaj?
E kam takuar shtatë herë gjithsej, por nuk kemi folur asnjëherë për muzikën rok. Më ka pritur edhe në studion ovale të Shtëpisë së Bardhë. Gjithashtu kam pasur nderin të shoh një ndeshje futbolli me të në shtëpinë time.
Jo keq për djalin e një parukieri që e filloi punën duke pastruar pjatat e baterisë dhe dyshemetë e një studioje regjistrimi në Bruklin.
Kjo është Amerika. Punon shumë dhe një ditë prej ditësh e sheh veten të ulur anash Presidentit, me një kuti kokoshkash në dorë. E çuditshme. Atë ditë u zgjova me shtëpinë e rrethuar nga njerëz borgjezë. Kur kërkoja shpjegime, më thoshin: ‘Prit mik, se do kuptosh më vonë‘. Pasdite një telefonatë më njoftoi për vizitën. Pas dy orësh, hodha një vështrim jashtë dritares dhe pashë familjen Obama në oborrin e shtëpisë sime. Në atë moment mendova: ‘Shyqyr që nuk kam probleme me zemrën‘.
Besoj se nuk folët vetëm për ndeshjen e "Giants" (skuadra njujorkeze e futbollit).
Sigurisht që jo. I thashë gjithashtu se të shoh dhe më duket sikur kam përpara një burrë të moshuar (Jon Bon Jovi është 47 vjeç, ndërsa Obama 48 vjeç). Pastaj filluam të flisnim për familjet dhe si t‘i ndihmonim personat që i ka rrënuar kriza ekonomike.
Do t‘ju shohim shpejt në politikë?
Kurrë. Unë jam i kënaqur me punën time dhe nuk po kërkoj punë tjetër. Mënyra e jetesës amerikane është shumë e mirë kur gjërat shkojnë mirë, por kur paratë fillojnë të mbarohen, nuk ka asnjë shans për t‘i shpëtuar. Fundosesh dita-ditës. Këngët e albumit "The circle" flasin për këtë dhe se si ka ndryshuar bota pas krizës ekonomike botërore.
Ju kujtohet koha kur keni incizuar këngën e parë?
Po, në moshën 18-vjeçare. Kënga ishte "We wish you a Merry Christmas", ku disa artistë po regjistronin këngën në studion e regjistrimit e kushëririt tim, Toni. Bëra çmos që të më pranonin duke u thënë se ajo ishte ëndrra e jetës sime. Incizoja një strofë dhe pastaj vrapoja për të pastruar dyshemetë. Më vinte aq shumë era alkool dhe ilaç pllakash, saqë këngëtarët e tjerë refuzonin të më qëndronin afër.
Përse i shkëputët lidhjet me një radio në Minesota që transmetonte këngët tuaja?
Sepse drejtuesit përdornin këngët e mia pa pasur autorizim për të transmetuar muzikë. Të vjedhësh muzikën e dikujt tjetër nuk është gjë e mirë.
Thuhet se në oborrin e shtëpisë suaj zhvillohen koncerte private, me yjet më të mëdhenj të botës. Kjo është një legjendë metropolitane apo një sekret i zbuluar?
Në fakt, shumë pak të ftuar kanë marrë pjesë në një koncert përkujtimor të një grupi që nëse do të ekzistonte vërtet, do të fitonte një miliard dollarë në muaj. Është e vërtetë që organizoj shpesh në oborrin e shtëpisë "rok-barbecue": hamburger, birra, majonezë dhe patate të skuqura. Para një muaji u paraqitën në shtëpinë time, me një kuti të madhe me mish, Bruce Springsteen, Roger, Waters, Paul McCartney dhe Billy Joel. Pasi pimë disa birra dhe hëngrëm ‘cheeseburger‘, Billy Joel u ul në piano, ndërsa Paul McCartney filloi të këndonte.
Po bëni shaka apo ka ndodhur vërtet?
Sapo zëri i Paul McCartney filloi të përhapej në ajër, djali i fqinjit tim filloi të thërriste me të madhe: baba, baba, jam në ëndërr apo shoh Paul McCartney duke kënduar në oborrin e Jon. Pasi qeshëm mirë e mirë me këtë batutë, u ngjitëm në skenën e improvizuar dhe filluam të këndonim për një orë e gjysmë ç‘na vinte në mendje. Bëmë edhe fotografi, por ishin të gjitha të sfumuara, sepse ne ishim të gjithë të pirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›