Korçë, rikthehet festivali i karnavaleve
Korçë- Karnavalet rikthehen në qytetin e Korçës me madhështinë e viteve të dikurshme, në formën e një festivali ndërkombëtar. Në çelje të aktivitetit, kryebashkiaku Peleshi, e ka cilësuar si një ritkthim në traditë. “Ky aktivitet duhet të bëhet pjesë e jetës kulturore të këtij qyteti”- tha ai.
Kurse presidenti i shoqatës evropiane të karnavaleve, Vander Kom ka përgëzuar bashkinë për organizimin e këtij evenimenti kulturor, duke u shprehur që karnavalet të zhvillohen çdo vit më të tilla përmasa, me përfaqësi nga grupet brenda e jashtë Shqipërisë.
Njëherësh ai ka bërë ftesë që grupe shqiptare të paraqiten vitin që vjen në festivalin ndërkombëtar të karnavaleve, që do të zhvillohet në Mal të Zi.
Sfilata ka pasur protagonistë 20 grupe, nga Korça Berati, Tirana, Kavaja, Shkodra, Mali i Zi, Maqedonia e Italia. Me kostumet dhe lojën e tyre janë përcjellë mesazhe të shumta për jetën, dashurinë, traditën dhe kulturën. Festivali u ndoq nga qytetarë të shumtë në sheshin para katedrales para qytetit me shpresën që një traditë e tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen.