E Diel, 1 Nëntor 2026

Mishela përgatitet për rolin e Zonjës së Parë

Ndërsa i shoqi ka nisur punën për
drejtimin e Shtëpisë së Bardhë,
edhe Mishele Obama nuk ka humbur
kohë për të përcaktuar pozicionimin e
saj si Zonja e Parë e vendit. Ajo rrethohet
nga një grup veteranësh të politikës
që do ta këshillojnë për pozicionin e ri.
Vetë Mishel është shprehur se do ta
bëjë prioritet të sajin çështjen e familjeve
ku prindërit janë të punësuar.
Megjithatë, sipas ndihmësve të saj, ajo
nuk do të jetë kurrë një Hilari e dytë.
Kjo e fundit pati në fillimet e saj një axhendë
personale çështjesh politike. Vizitën
e parë jashtë Shtëpisë së Bardhë,
Mishel e bëri në Departamentin e Arsimit.
Sipas këshilltarëve të saj, ajo do
të nisë me çështje që kanë të bëjnë me
mbarëvajtjen e të gjithë pjesëtarëve të
familjes, duke e nisur nga çështjet më
të prekshme, ato që kanë të bëjnë me
shëndetin dhe arsimimin e fëmijëve.
Po sipas tyre, Mishel do të merret me
çështje të rëndësishme dhe të ndërlikuara.
Mishel, gjatë dy viteve të fushatës
presidenciale të të shoqit, ishte
pjesë aktive e saj. Ajo ndërmori edhe
takime e udhëtime personale për
mbledhje fondesh, organizoi forume
dhe tryeza të rrumbullakëta me burra
e gra të shtresave të ndryshme.
Megjithatë, ajo e bëri të qartë që nuk
ishte as një nga strateget dhe as një nga
këshilltaret e të shoqit. Gjatë javëve në
vazhdim, ndihmësit e Mishelës flasin
për një axhendë shumë të ngarkuar
me takime. Roli i saj do të përqendrohet
edhe në lidhjet personale të të shoqit
me njerëz të ndryshëm, një rol i ri
ky për një Zonjë të Parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›