E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel, Papës: Qartëso qëndrimin e Vatikanit ndaj Holokaustit

Pas rehabilitimit të një
peshkopi që e kishte vënë
në dyshim Holokaustin,
kancelarja gjermane Merkel, i
bëri thirrje Papës Benedikt XVI
që të bëjë një gjest "shumë të
qartë" të distancimit të tij nga
mohimi i Holokaustit, pas rehabilitimit
të një peshkopi me
bindje të tilla nga ana e Vatikanit.
Kërkesa e kancelares vjen pas
një pakënaqësie të liderëve katolikë
gjermanë ndaj vendimit të
Papës për rehabilitimin e Riçard
Uilliamson, që vuri në dyshim
kohë më parë faktin e vrasjes së
6 milionë hebrenjve gjatë Luftës
së Dytë Botërore. Sipas Merkelit,
ajo vetë nuk e besonte se Vatikani
ishte shprehur qartë në
lidhje me qëndrimin ndaj Holokaustit
pas aktit të Papës. Një
javë më parë, Benedikti XVI
shprehu solidaritet të plotë dhe
të padiskutueshëm me hebrenjtë
e persekutuar gjatë luftës, por
siç duket kjo nuk i ka mjaftuar
disa liderëve katolikë në Gjermani,
të cilët i kanë bërë thirrje
Atit të Shenjtë të revokojë rehabilitimin
e peshkopit që vuri në
dyshim Holokaustin. Pas kësaj,
Merkel ka këmbëngulur se Papa
duhet të bëjë një deklaratë më
bindëse në lidhje me qëndrimin
e Vatikanit, pasi veprimi i fundit
ka hedhur shumë dyshime mbi
të. Kleri katolik gjerman ka
kërkuar gjithashtu që, ata që
mundësuan ripranimin e Uilliamson,
duhet të përballen me
pasoja. Vatikani deri më tani
është mbrojtur duke deklaruar
se pranimi i peshkopit nuk do të
thotë që Selia e Shenjtë ndan me
të të njëjtat pikëpamje. Benedikti
XVI vizitoi një sinagogë gjatë
vizitës së tij të parë në Gjermani
si Papë dhe gjatë gjithë vizitave
të tjera, i ka kushtuar vëmendje
komunitetit hebre. Për sa i përket
çështjes në fjalë, ajo është
shumë e ndjeshme në Gjermani,
vend ku mohimi i Holokaustit
konsiderohet si "krim". Uilliamson,
në një intervistë të transmetuar
një muaj më parë në një
televizion shtetëror suedez, tha
se të gjitha materialet historike
flasin kundër faktit se gjatë
Luftës së Dytë Botërore u vranë
në dhomat e gazit 6 milionë hebrenj,
si pasojë e politikës së Hitlerit.
Ai citoi deklaratat e refuzuesve
të tjerë të Holokaustit.
sipas të cilëve në kampet naziste
mund të jenë vrarë 200 deri në
300 mijë hebrenj, por asnjëri
nuk është vrarë në dhomat e
gazit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›