E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroaci, urrejtje e përgjithshme ndaj Serbisë

Qëkur ka filluar kampionati botëror i hendbollit për meshkuj në Kroaci, në Zagreb dhe në qytete të tjera të vendit, nuk ka ditë që të mos ndodhë ndonjë incident me karakter të theksuar antiserb, që tregon se urrejtja kundër serbëve në këtë vend, që dikur ka qenë republikë e Jugosllavisë së dikurshme, vazhdon të mbetet në kulmet e saj, edhe pse kanë kaluar afro 15 vjet që nga mbarimi i luftës në territoret ish-jugosllave.

Fillimisht, në Zadar, nga sheshi qendror i tij, u hoqën të gjithë flamujt e pjesëmarrësve të turneut final të kampionatit botëror, pasi banorëve të Zadarit nuk u pëlqente aspak ngritja e flamurit të Serbisë në qendër të Zadarit, kështu që autoritetet e qytetit i ranë shkurt, duke i hequr të gjithë flamujt e vendeve pjesëmarrëse. Më pas, policia e Zadarit mori një telefonatë anonime se në hotelin "Kollovare", ku është vendosur përfaqësuesja serbe, ishte vënë një bombë. Por puna nuk mbeti me kaq, pasi tifozë kroatë shkatërruan makinën e drejtorit të kompanisë serbe "KK Hemofarm", Amrko Ivanoviç, që kishte ardhur për të ndjekur një ndeshje të ekipit përfaqësues serb. Të gjitha ndeshjet e kombëtares së Serbisë, ndërkohë, pa përjashtim, në Zadar janë shoqëruar më hedhjen rituale të parullave "Ubij srbina!" ("Vrite serbin"). Kontributin e tyre, sipas medias serbe, nuk munguan ta japin edhe banorët e Zagrebit, ku disa persona dogjën publikisht një flamur serb.

Funksionarë të lartë serbë, lidhur me numrin e madh të incidenteve antiserbe në Kroaci, pretendojnë se pas tyre qëndron vetë shteti i Kroacisë, që i sheh "përmes gishtave" këto incidente dhe nuk merr asnjë masë për parandalimin dhe kapjen e autorëve të tyre. "Kur ata (kroatët) sillen kështu kundrejt shtetit tonë dhe simboleve tona, atëherë vetëm se mund të imagjinohet sesi sillen ata ndaj serbëve që jetojnë në Kroaci. Serbia duhet t‘i mbrojë simbolet e veta dhe në shkëmbimet me Kroacinë duhet të ketë reciprocitet. Nëse 200 kompani kroate operojnë në Serbi, po aq kompani serbe duhet të operojnë edhe në Kroaci. Duhet që, pa kërcënime dhe pa sulme kundër kujt, ta mbrojmë veten tonë, interesat tona politike dhe ekonomike, si edhe të drejtën e një jetese normale për pjesëtarët e kombësisë serbe që jetojnë në territorin e Kroacisë", vuri në dukje dje, me rastin e incidenteve antiserbe në Kroaci, zëvendëskryetari i Partisë Progresiste Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiç. Kurse deputeti i Partisë Demokratike Serbe (DSS), Dragan Sormazh, i tha dje medias serbe se, "në qoftë se kryetari i Bashkisë së Zadarit urdhëroi heqjen e flamujve të vendeve pjesëmarrëse në finalet e kampionatit botëror të hendbollit dhe nëse këtë informacion e transmeton media botërore që, me siguri, ajo e ka bërë këtë tashmë, si dhe informacionin se shtetasit e vendeve të tjera nuk mund të lëvizin lirisht në Kroaci, atëherë kush do t‘u shkojë atyre në verë për pushime?". Vjerica Radeta e Partisë Radikale Serbe (SRS), nga ana e saj, vuri në dukje se urrejtja e kroatëve ndaj serbëve kurrë nuk ka pushuar. "I hoqëm, me të drejtë, vërejtje Boris Tadiçit se kërkoi falje për disa krime të serbëve gjatë kohës së luftës, kurse në fakt janë kroatët ata që na kanë bërë keq dhe jo ne atyre. Kjo që po ndodh, është një skandal diplomatik. Kroatët janë antiserbë të tërbuar. I tillë është populli, i tillë është edhe pushteti që rrjedh nga ai, dhe çdo përrallë për demokratizimin e Kroacisë nuk ka asnjë lidhje me realitetin", theksoi ajo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›