E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, shtohen divorcet, 60% e kërkesave nga gratë

Autori i Lajmit: red.
Numri i kërkesave për divorc ka shënuar rritje në këto katër muaj të parë të vitit në gjykatën e shkallës së parë në Korçë, ndërkohë që pjesa më e madhe e këtyre kërkesave ka ardhur nga femrat.
Kancelari i kësaj gjykate, Shkëlqim Kajmaku, tha se "gjatë katër muajve të parë të këtij viti në gjykatë janë paraqitur gjithsej 174 padi për zgjidhje martese".
Motivet
Sipas tij, motivet janë të shumta, mes të cilave veçohen tradhëtitë bashkëshortore, vështirësitë social- ekonomike, largësia e bashkëshortëve për shkak të emigracionit që çon në krijimin e lidhjeve të reja, apo edhe për konflikte që lindin nga mospranimi për të jetuar në bashkësi. "Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 294 martesa të zgjidhura, dhe nga kjo shifër duket qartë se ka një tendencë në rritje të këtyre rasteve, që përfundojnë me divorce", theksoi Kajmaku. Burime nga gjykata thanë se 60% e kërkesave depozitohen nga gratë. Ndërsa sipas statistikave çdo vit e më shumë pranë gjykatës drejtohen çifte të pakënaqura nga martesa, të cilat kërkojnë t i japin fund dhe zgjidhje jetesës në çift. Kjo tendencë ka ardhur më shumë në rritje pas vitit 2005, kur në një hark kohor prej tre vjetësh janë shënuar më shumë se 1 mijë padi.
Procesi
Numri i çifteve që pajtohen gjatë procesit është minimal. Sipas të dhënave nga kjo gjykatë, 72 përqind e çifteve të ndara kanë pasur një bashkëjetesë deri 5 vjet, 21 përqind deri 15 vjet dhe vetëm 7 përqind kanë pasur bashkëjetesë më të gjatë se 15 vjet. Kancelari i Gjykatës së Faktit, Shkëlqim Kajmaku, pohon se "pas çdo vendimi për zgjidhjen e martesave krijohen probleme të shumta sociale, ndërsa përgjithësisht janë fëmijët ata të cilët e përjetojnë më keq ndarjen e dy prindërve".
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›