E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, tre mashtrues silleshin si punonjës financash

Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë të Korçës, Eftiola Kacorri, bëri të ditur se Ilir Muzhaqi, 42-vjeç, Ben Gjika, 38-vjeç dhe Aleks Uruçi, 40-vjeç, që të tre nga Tirana, përfaqësues të subjektit "Sing-Ship" me seli në kryeqytet, ishin paraqitur në lokale korçare si punonjës të Ministrive të Financave, duke u kërkuar të paguanin një taksë "për të drejtën e autorit", e cila vendosej në varësi të lokaleve.

"Kjo taksë u merrej duke i kërcënuar administruesit e bizneseve se do t'u mbyllej veprimtaria, ose do të paguanin 10-fishin e taksës si gjobë", thuhet në deklaratën e policisë.

Sipas të njëjtave burime, të arrestuarve iu sekuestruan një bllok me fatura tatimore, dy blloqe me mandate arkëtimi, dhe dy blloqe me listën e subjekteve që u kishin paguar "taksat".

Të arrestuarit do të përgjigjen përballë drejtësisë për vjedhje me anë të mashtrimit dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore, përfunduan burimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›