E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Serbi, një erë e re bashkëpunimi në shëndetësi

I pranishëm sot në Tiranë ishte ministri serb i Shëndetësisë, Tomica Milosavljevic, i cili theksoi se shëndeti dhe sëmundjet nuk njohin kufij dhe ndarje. "Në të gjitha aspektet e jetës, nuk ka asgjë që të mos ketë lidhje direkt me shëndetësinë", u shpreh ministri serb i Shëndetësisë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Petrit Vasili.

Duke u ndalur në marrëdhëniet mes dy vendeve, ai shprehu mendimin se "në këto momente, po bëjmë një hap të ri në këtë drejtim mes dy vendeve". Kjo vizitë, sipas tij, është një tregues i qartë për dëshirën e madhe për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve.

Milosavljevic po zhvillon këtu një vizitë treditore me ftesë të homologut Vasili. Kjo është vizita e parë e një ministri serb të Shëndetësisë në Shqipëri pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë të bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e shëndetësisë në muajin korrik në Beograd.

Ndërkohë, ministri shqiptar i Shëndetësisë, Petrit Vasili vuri në dukje se marrëdhëniet tona po përjetojnë një intensifikim si asnjëherë më parë dhe shkëmbimet në fushën e shëndetësisë kanë hyrë në rrugë intensive dhe pozitive.

"Dimensioni i ri i marrëdhënieve dhe sfidat evropiane që ndajnë vendet tona, na orientojnë drejt një bashkëpunimi gjithnjë e më intensiv. Shqipëria dhe Serbia ndajnë sfida të përbashkëta në reformimin e sistemeve shëndetësore", nënvizoi Vasili.

Ai vlerësoi se mjaft elementë të reformës shëndetësore në Serbi janë histori suksesi atje, ndërkohë që elementë të reformës të ngjashëm zhvillohen dhe në Shqipëri.

Ministri serb i Shëndetësisë do të vizitojë Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Institutin e Shëndetit Publik, Spitalin e Durrësit, etj.

Fushat e bashkëpunimit në shëndetësi dhe mjekësi mes dy vendeve përfshijnë aspektet institucionale, legjislative dhe rregullator, që lidhen me shëndetin, kujdesin shëndetësor dhe mjekësinë në kuadrin e integrimit në BE, trajnimin e specialistëve të shëndetësisë, aktivitetet e përbashkëta në fushën e shëndetit mendor, shkëmbimi i informacionit dhe eksperiencës për sa i përket çështjeve që lidhen me shëndetin dhe veprime të qenësishme mbi teknologjitë dhe mbështetjet për aplikimin e tyre, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›