E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dialog me zgjedhësit për t’i njohur edhe ata me reformat e qeverisë”

Kreu i qeverisë Sali Berisha informoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar nisjen e një fushate takimesh me elektoratin shqiptar duke filluar nga kjo javë.
Berisha u shpreh se kjo bëhet për shtrimin e dialogut dhe debatit me zgjedhësit shqiptarë, për të njohur shqiptarët me reformat e ndërmarra nga qeveria, por edhe për të marrë sugjerimet e tyre. “Duke filluar nga kjo javë do të nis një seri takimesh në mbarë Shqipërinë, të cilat nuk do të kenë të sosur. Këto takime dhe ky dialog me qytetarët shqiptarë kanë për qëllim kryesor: paraqitjen e reformave të qeverisë para tyre, tërheqjen e mendimit dhe sugjerimeve të tyre, njohjen e qytetarëve shqiptarë me veprimtarinë intensive të mazhorancës, e cila kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk ka qëndruar e ngujuar në kuti. Tjetër është kutia, tjetër janë reformat, të cilat këto muaj kanë ecur më shpejtë se kurrë, në çdo fushë. është e domosdoshme të zhvillojmë dialog dhe debat me qytetarët shqiptarë të të gjithë spektrit politik. është e domosdoshme t’i njohim ata një për një me rezultatet konkrete, me përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe suksesin e këtyre rezultateve”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Sipas tij, çdo qytetar shqiptar ka interes madhor në këtë proces dhe ndaj duhet të dijë se çfarë ka bërë qeveria për kontrollin e integruar të kufijve dhe çfarë nënkupton kjo; se çfarë ka bërë qeveria për luftën me sukses të krimit të organizuar dhe se cilat janë hapat e reja; cilat janë përpjekjet e mëdha dhe të suksesshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit.
Kreu i qeverisë u ndal te reforma në sistemin shëndetësor, përmes vendosjes së çmimeve të referencës, duke i dhënë një goditje të rëndë fenomenit korruptiv.
Kryeministri shtoi se në historinë e saj, e majta politike ka qenë manipuluesja më e madhe e Exit Poll-eve, specifikisht për nivelin e lartë të korrupsionit në shëndetësi.
“Unë dua t’ju them se nga diseksioni që i është bërë njërit prej këtyre Polleve majtiste, i cili në vitin 2005 na nxirrte neve 14 pikë pas Partisë Socialiste, rezulton se korrupsioni në shëndetësi ishte përgjegjës kryesor për përqindjen e lartë që rezultonte. Gjatë këtyre muajve ka ndodhur një reformë e thellë, e suksesshme dhe shumë e mirëpritur nga qytetarët, duke vendosur çmimet e referencës për vizitë. Kjo ka sjellë reduktim dramatik të parapagimit. Një Poll paraprak tregon se rënia është rreth 70 për qind, sepse për fat të keq parapagimi në shëndetësi ishte një nga praktikat më korruptive dhe kjo tani është asgjësuar. Ministri i Shëndetësisë dhe Task Forca për reformën në shëndetësi po përpunojnë praktika të reja. Siç janë vendosur këto praktika në rendin e vizitave, do të vendosen praktika të reja për procedurat dhe operacionet, në mënyrë që të zhduket parapagimi dhe ryshfeti në sistemin tonë shëndetësor”, tha Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se lufta kundër korrupsionit do ketë dimensione edhe më të gjëra. Në këtë aspekt, Berisha tha se praktikat e trajtimit të automjeteve, brenda këtij muaji do jenë të dixhitalizuara.
“Brenda këtij muaji, në mbarë vendin, do të jenë të dixhitalizuara provimet për patentat. Një praktikë tërësisht e re dixhitale dhe jashtë korrupsionit do të instalohet së shpejti për regjistrimin e automjeteve. Ne po marrim një nga një çdo procedurë në raport me korrupsionin për ta nxjerrë jashtë tij, por reformën më të rëndësishme antikorrupsion e bëtë ju të nderuar deputetë me miratimin e ligjit për transportin e zyrtarëve publikë. Ajo reformë ka kaluar si pa u ndjerë, por ajo është një reformë historike. Po të kemi parasysh se janë thjeshtuar mbi 2700 vetura dhe shoferë personalë, ku secili prej tyre kushtonte me shpenzimet vjetore më shumë se një ministër”, u shpreh Kryeministri.
Lufta kundër korrupsioni, shtoi më tej kryeministri, ka një fuqizim të ndjeshëm nga organet e prokurorisë, policisë kriminale dhe gjykatave. Në këtë drejtim, kryeministri vuri në dukje se kjo është periudha e parë në historinë tonë që penalizohen gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë të lartë.
“Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin tonë të hekurt në luftën kundër korrupsionit. Reforma të thella e të gjithanshme janë në proces e sipër kundër informaliteti. Lufta kundër informalitetit është luftë kundër korrupsionit, është luftë për lirinë e tregut. Me sistemin e ri on-line të tatimeve, me vendosjen me shpejtësi të kasave fiskale më moderne, me shtrirjen e TVSH –së ose me uljen e pragut në 5 milionë pa ndryshuar statusi, si dhe një seri masash të tjera i kanë dhënë dhe i japin informalitetit përgjigjen e merituar”, theksoi Kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›