E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, vidhen flamujt e 100-vjetorit, Peleshi: Turp për qytetin

KORÇË – Vidhen flamujt kombëtarë të vendosur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë në qytetin e Korçës. Burime nga qyteti juglindor pohojnë se gjatë orëve të natës të së dielës, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur flamujt që ishin vënë si dekor në pedonalen e rikonstruktuar kohët e fundit si dhe ata që ishin vënë në shtyllat e sheshit para katedrales “Ringjallja e Krishtit”.

Menjëherë ka reaguar kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, i cili ka deklaruar se nuk është patriotizëm që flamujt të vidhen nga bulevardet kryesorë dhe të vendosen në dritaret e shtëpive. Këto veprime sipas kreut të bashkisë nuk bëjnë gjë tjetër veçse e turpërojnë qytetin.

“Nuk është patriotizëm vjedhja e një flamuri kombëtar. Është minimumi i patriotizmit të paguash me kursimet e tua modeste dhe të blesh një flamur e ta vendosësh atë në dritaren e shtëpisë në këtë 100-vjetor, pa llogaritur këtu dëmin e madh që i shkakton buxhetit të bashkisë, forcave tona, të cilat çdo ditë ripërtërijnë dekorin e qytetit. U bëj apel qytetarëve që të mbajnë qëndrimin e duhur nga ky fenomen që na turpëron. Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve që të distancohen nga këto veprime që nuk ka nderojnë”, - tha kryebashkiaku Peleshi.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›