Korçë, viktima mund të jetë vrarë nga xhelozia

Ende asnjë gjurmë për identifikimin e kufomës së gjetur, të gjymtuar në vendgrumbullimin e mbeturinave në qytetin e Korçës. Pavarësisht kërkimeve për gjetjen e pjesës së kokës të kësaj viktime, policia nuk ka mundur të sigurojë ende asnjë gjurmë. Edhe pse nga specialistë të hetimit pohohet se mungesa e kokës e bën thuajse të pamundur identifikimin e gruas, baza kryesore do të mbështetet tek shenjat e tjera dhe ndoshta tek një denoncim për zhdukjen nga familjarët.
Nga burime të tjera të policisë, bëhet e ditur se prerja e organeve gjenitale të viktimës, ngre dyshimet për një motiv xhelozie duke bërë që autori të dyshohet si një person i cili ka pasur lidhje me viktimën.
Ekspertët tashmë kanë përcaktuar nga analizimet se edhe pse mbi 35 vjece gruaja nuk ka pasur fëmijë. Veshja me rroba shtëpie e viktimës, ngre mundësinë që ajo të jetë nga qyteti i Korçës apo rrethinat, dhe se mund të ketë dalë nga banesa për pak kohë dhe të jetë takuar me një person me të cilin ka pasur njohje.
Deri më tani rezultatet e hetimit janë të pakta dhe ato lidhen vetëm me mënyrën e kryerjes së krimit. Sipas policisë të Korçës, trupi i cili mendohet që pasi është masakruar të jetë hedhur në kontenierët e mbeturinave , më tej është transportuar drejt vend-grumbullimit në dalje të qytetit, ku edhe u gjetën trupi dhe gjymtyrët e gruas.
Policia ka zbuluar edhe disa karakteristika të tjera, të cilat do të ndikonin në identifikimin e saj pa shenja të veçanta identifikimi përveçse një dëmtimi të vjetër me përmasa të vogla në kërcirin e këmbës së djathtë. Policia gjithashtu kërkon nga të gjithë personat që kanë dijeni për identifikimin e kufomës dhe rrethanat e ngjarjes, të japin informacionin e nevojshëm duke ruajtur kofidencialitetin, dhe për këtë qëllim nga Drejtoria e Policisë, Qarkut Korçë vihet në dispozicion një shumë shpërblimi prej 10.000 Euro.