E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja Tragjedia e Butrintit shkon në gjykatë

Pas gjashtë muajsh pune, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Sarandës për dokumentimin e provave dhe fakteve të mbledhura për tragjedinë e ndodhur më 19 tetor të vitit të kaluar, është marrë vendimi për tja kaluar dosjen me të gjithë materialin hetimor Gjykatës së Shkallës së Parë në Sarandë. Tragjedia e Butrintit shkaktoi 5 viktima, mes tyre edhe foshnja, Klara, 3- muajshe, të cilët të mashtruar nga sekserë të trafikut të qënieve njerëzore, kundrejt përfitimit të një shpërblimi të majmë që shkonte deri në 1200 euro, organizonin udhëtimet e vdekjes, për të mos renë në duart e policisë  shqiptare, e cila kishte bllokuar lundrën në kanalin e Vivarit për kalimin e Liqenit të Butrintit me varkat e peshkimit, me njerëzit mall, duke mbartur me këto varka dyfishin e kapacitetit të tyre, duke rrezikuar ekstremisht jetët e njerëzve. Varka prej druri, që shkaktoi tragjedinë, kish nisur udhëtimin e vdekjes me 17 persona, të cilët kishin hipur në të për të kaluar rreth një Kilometër sipërfaqe, tek prita e peshkimit në Vivar. Atje përmbyset duke shënuar tragjedinë në ujërat e brendshme të vendit. Përmbysja e varkës  solli vdekjen e shtetasve të nisur drejt shtetit helen, për një jetë më të mirë. Pas hetimeve të nisura menjëherë pas ngjarjes, prokuroria e Sarandës dhe e Krimeve të Rënda, punuan intensivisht për zbulimin e autoreve dhe rrjetit të trafikut që niseshin nga Fieri, Berati dhe Tirana drejt kufirit Jugor, Saranda, Konispoli e Qafë Bota. Të arrestuar në dhomat e burgimit momentalisht janë dy persona, Hiqmet Sollaku dhe Dashamir Mane. Në mungesë do të gjykohen Gani Madhi dhe Albert Gega, të cilët janë larguar në drejtim të paditur dhe kanë mundur ti shpëtojnë prangave duke iu shmangur akuzës favorizim dhe kalim i paligjshëm i kufirit, me pasojë vdekjen e pesë personave. Gjykimi do të përqendrohet tek këta të akuzuar, duke mos vënë para drejtësisë asnjë përgjegjës, që favorizonte trafikantët e jetëve njerëzore, të gjendur para të vetmes zgjidhje të rekomanduar nga sekserët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›