E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja Veriore kritikon strategjinë e Obamës

Koreja e Veriut e ka vlerësuar si armiqësore strategjinë e re bërthamore të presidentit amerikan, Barack Obama, dhe u zotua se do ta zgjerojë arsenalin e vet bërthamor.

Obama më herët, gjatë javës, premtoi se do të frenohet nga përdorimi i armëve bërthamore kundër shteteve, të cilat respektojnë standardet e moszgjerimit - por ai nga politika e tij e re e përjashtoi Korenë e Veriut dhe Iranin. Pheniani akuzoi administratën e Obamës se nuk është aspak më e mirë se administrata e George Bushit.

“Për aq kohë sa të ekzistojë kërcënimi bërthamor nga ana e SHBA-së, Koreja Veriore do të shtojë numrin e armëve të veta bërthamore”, citoi agjencia e lajmeve KCNA një zëdhënës të Ministrisë së Jashtme.

Washingtoni dhe fuqitë rajonale kanë bërë përpjekje të bindin Korenë e Veriut që të rikthehet në negociatat për çarmatim, nga të cilat u largua vitin e kaluar, por Ministria e Jashtme në Phenian theksoi se politika e re e Obamës ka prishur atmosferën për rifillimin e negociatave.

Megjithatë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, theksoi gjatë javës se beson se negociatat për çarmatim do të rifillojnë, me gjithë jostabilitetin në Veri, për të cilin tha se ka penguar negociuesit. (AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›