E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për Britaninë

Kryeministri Gordon Brown, ka vendosur që zgjedhjet e përgjithshme në Britani të zhvillohen pas një muaji, më 6 maj.

Partia e tij laburiste po përpiqet të fitojë një mandat të katërt me radhë, për herë të parë në historinë e Britanisë.

Zoti Brown tha se po i kërkonte popullit britanik një mandat të qartë që të vazhdohej puna për sigurimin e rigjallërimit ekonomik të vendit.

Udhëheqësit e opozitës, David Cameron i konservatorëve dhe Nick Clegg i liberal demokratëve, të dy bënë thirrje për ndryshim.

Cili do që të jetë rezultati i zgjedhjeve të këtij viti në Britani, një gjë është e qartë: rezultati do të jetë historik, theksojnë analistët.

Nëse David Cameron, do të marrë postin e kryeministrit, pra do të vendoset në Downing Street, do të jetë hera e parë në 30 vjet që konservatorët rrëzojnë një qeveri laburiste.

Në moshën 43-vjeçare, ai do të mund të jetë kryeministri më i ri në moshë, pas Lordit Liverpool. Zoti Cameron është 6 muaj më i ri se sa ishte Tony Blair kur erdhi në pushtet.

Nëse Cameron bëhet kryeministër duke marrë shumicën e nevojshme, kjo do të ndodhë si rezultat i zhvendosjes së madhe të mbështetjes së elektoratit për konservatorët dhe nëse kjo zhvendosje ndodhë, atëherë ajo do të ishte më e madhja që nga viti 1945.

Ka kaluar shumë kohë që konservatorët kanë mbetur jashtë pushtetit dhe nëse do të fitojnë, Cameron do të ketë një kabinet me shumë pak përvojë, pasi vetëm tre nga anëtarët e qeverisë në hije, Ken Clarke, William Hague dhe George Young janë sprovuar deri me tani.

Disa do të vlerësonin apo kritikonin një fitore të konservatorëve si rikthimin në Britani të klasës së vjetër pushtetare.

Nëse Gordon Brown do të mbetet pushtet, do të ishte ky një triumf i tij i jashtëzakonshëm personal.

Zoti Brown është i vetëshpalluri "Luftëtar", që u përball me një seri përpjekjesh brenda vetë partisë për ta rrëzuar.

Megjithatë, një fitore do të jetë më e jashtëzakonshme se kaq.

Për laburistët do të ishte një mandat të katërt, pas 13 vjetësh në pushtet dhe pas atij që është recesioni më i gjatë dhe ndoshta më i thellë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Laburistët gjatë viteve të kaluara tashmë kanë ndërruar një kryetar, e bënë përpjekje të pasuksesshme që të ndërrojnë edhe Brownin.

Në zgjedhjet e vitit 2005, laburistët i fituan zgjedhjet me gati 35% të votave, numri më i vogël i votave në shkallë kombëtare të hedhura për një parti fituese.

Në 1997 laburistët morën 43% të votave.

Nëse asnjë nga partitë nuk merr shumicën e nevojshme, kjo do të jetë hera e parë në Westminster, që prej shkurtit të vitit 1974.

Pamundësia e kryeministrit të atëhershëm Edward Heath, për të bindur liberalët, çoi në zgjedhje të tjera në muajin tetor dhe kjo mund të ndodh përsëri.

Kushdo që të fitojë zgjedhjet do të sjell një parlament të ndryshuar, pasi skandali me shpenzimet e deputetëve ka bërë që një pjesë e madhe e deputetëve do të ndërrohen.

Nëse do të fitojnë konservatorët, më shumë se gjysma e deputetëve të tyre do të jenë të rinj.

Hidhërimi i opinionit publik mund të rezultojë me befasi gjatë zgjedhjeve. Nuk do të jetë vetëm rezultati i zgjedhjeve që do të bëjë histori. Viti 2010 do të mbahet në mend, si vit në të cilin është zhvilluar debati i parë publik ndërmjet kandidatëve për kryeministër të Britanisë.

Deri me tani, anketat e opinionit publik e favorizojnë Cameronin para Bopwnit.

Që prej vitit 1970 mbështetja në zonat të caktuara për partitë kryesore nuk ka ndryshuar, ndaj edhe fokusi i betejës elektorale është tek zonat periferike.

Çështjet si imigracioni, janë shumë lart në listën e prioriteteve të elektoratit.

Për partinë e tretë të madhe, Liberal-demokrate dhe udhëheqësin e saj Nick Clegg, ky vit duket që nuk do të përsërisë rezultatin që arriti kjo parti në zgjedhjet në vitin 2005, që solli rezultate të mira për ta.

Historikisht kjo parti është tkurrur nga ngritja e konservatorëve.

Megjithatë prania e liderit liberal-demokrat në debatet televizive, përballë liderit konservator dhe atij laburist do t'i jap udhëheqësit Nick Clegg një mundësi të madhe. (BBC)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›