E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hungaria po lëviz nga e djathta?

Në Hungari, të dielën zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Kohët e fundit vendi është në kryetitujt me konfuzionin politik dhe krizën e thellë ekonomike. Tani ka sinjale për kthesë politike drejt së djathtës radikale.

"Në burg, në burg", bërtet turma. Në tribunë qëndron Gabor Vona, kryetari i partisë ekstremiste të djathtë "Jobbik"( shqip "Më të mirët"). I kënaqur ai i hedh sytë turmës, pastaj thërret: "Kur politikanët bëjnë vepra penale, ne do të japim dyfishin e dënimit. Dhe kur ndokush e prek sadopak potencialin tonë kombëtar, ne do t'i japim burgim të përjetshëm".

Në sheshin Deak, në qendër të Budapestit, rreth 50 000 përkrahës të ekstremistëve të djathtë të partisë "Jobbik" janë mbledhur në një miting të madh. Kryetari i partisë, Gabor Vona, dhe politikanë të tjerë sulmojnë "kriminalitetin e politikanëve dhe ciganëve." Ata nxisin njerëzit kundër romëve, të huajve dhe hebrenjve. Në fund të mitingut përdoret përshëndetja luftarake e lëvizjes: "Dhëntë Zoti!" "Të ardhme të bukur", e kthen turma thirrjen.

Hungaria dikur ka qenë vend model i shoqërive të tranzicionit në Evropën Lindore. Ndërkohë, ekstremistët e djathtë janë bërë forcë politike që duhet marrë seriozisht. Ata kanë ndikuar së tepërmi disa pjesë të shoqërisë me diskutimet e tyre shoviniste dhe raciste, por edhe me marshet e tyre paramilitare.

Prej kohësh është kaluar nga dhuna verbale në dhunë konkrete. Vitin e fundit një seri vrasjesh nga e djathta ekstremiste terroriste kanë tronditur vendin.

Ngjitja e ekstremistëve të djathtë, e pashembullt në të gjithë Evropën Lindore, u mundësua nga rënia e Hungarisë në destabilizim politik dhe në një krizë të thellë ekonomike. Ndërmjet dy partive të mëdha, socialistëve qeverisës dhe demokratëve të rinj nacional-konservatorë, sundon prej kohësh lufta verbale. Reformat e rëndësishme janë bllokuar prej vitesh. Hungaria është e zhytur thellë në borxhe, shoqëria ankohet gjithnjë e më shumë për korrupsion, keqadministrim, politikë të gabuar ekonomike.

Receta e ekstremistëve të djathtë kundër kësaj është e thjeshtë: "Hungaria - hungarezëve". Kryetari i partisë, Gabor Vona, shpjegon zgjidhjen: "Po që se në një shtëpi banojnë të zotët dhe qiraxhinjtë, atëherë nuk i dikton qiraxhiu kushtet. Në Hungari veçse është kështu. Këtu vendosin ndërmarrjet e huaja. Ne duam që interesi i hungarezëve dhe kombi të jenë etaloni matës në ekonomi, në media dhe në kulturë. Dashuria patriotike duhet të jetë në të gjitha fushat e krijimit të ndërgjegjes".

Sigurisht nuk janë ekstremistët e djathtë të partisë "Jobbik" ata që e kanë futur në gjuhën e politikës një retorikë të tillë, por janë demokratët e rinj nacional-konservatorë. Në të vërtetë kjo parti, në thelb një parti popullore kristian-demokrate, ka vite që po anon shumë djathtas. (DW)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›