Koreja e Veriut SHBA-së: Nuk frikësohemi, raketa në udhëtim

Vetëm disa orë pasi presidenti amerikan kritikoi edhe një herë paralajmërimet e Koresë Veriore për lansimin e raketës me rreze të gjatë veprimi, nga ky shtet erdhi dëshmia se nuk frikësohen nga sanksionet. Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes konfirmoi se raketa tashmë është në rrugëtim drejt platformës për lansim, raportuan mediat ndërkombëtare. Lajmi për këtë veprim dëshmoi se Koreja Veriore nuk frikësohet nga SHBA dhe fuqitë e tjera botërore, që janë mbledhur në samitin dyditor për sigurinë bërthamore në Seul. Në anën tjetër, Kina dhe SHBA u pajtuan që të koordinojnë përgjigjen e tyre ndaj ndonjë provokimi eventual nga verikoreanët. Lansimi i raketës është planifikuar mes 12 dhe 16 prillit në kohën kur shënohet 100-vjetori i lindjes së liderit verikorean, Kim Il sung. Njëkohësisht, presidenti në largim i Rusisë, Dimitry Medvedev, bisedoi me Obaman, duke thënë se ka ende kohë për Moskën dhe Uashingtonin për t`i zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me planet e SHBA-së për sistemin e mbrojtjes raketore në Evropë.