Maqedoni, kundërpërgjigjet Xhaferi: Më shtrembëruan deklaratën

Zv/kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi ka reaguar për intepretimin që i është bërë deklaratës së tij në Prishtinë. Ai ka thënë se është nxjerrë nga konteksti dhe se ai nuk ka akuzuar klasën politike të Kosovës për nxitje të shqiptarëve në Maqedoni.
“Por, për hir të së vërtetës dhe informimit objektiv të opinionit kabineti i zv/kryeministrit Xhaferi jep deklaratën origjinale nga biseda dhënë në KTV. Xhaferi është shprehur se, ka mundësi të vijnë edhe deklarata radikale lidhur me situatën në Maqedoni nga ndonjë subjekt në Kosovë: ` faktikisht nëse ndonjë deklaratë do të ishte pak ma radikale rreth ngjarjeve këtu dhe mund të vijë si pasojë edhe e frustrimeve të brendshme atje. Madje lidhur me sugjerimin e Xhaferi për klasën politike në Kosovë të merret me veriun, realiteti është se zv/kryeministri konfirmon qëndrimin se zgjidhja e çështjes së veriut të Kosovës është vetëm në favor të stabilitetit të rajonit dhe se mbyllja e kësaj çështje do t`i jepte mundësi edhe më të mëdha Prishtinës zyrtare të interesohet për situatën në Maqedoni, gjë, e cila është shumë legjitime. Për arsye se do të ishte fatmirësi po që se Kosova do të stabilizonte veriun, do të integronte, dhe pastaj do të kishte mundësi dhe të drejtë të interesohet për situatën këtu që është shumë legjitime. Qëndrimet e nxjerra nga konteksti në raportin e televizionit KTV-së, madje janë absurde duke marrë parasysh se janë në kundërshtim edhe me marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore dhe ndërqeveritare të Kosovës dhe të Maqedonisë, e sidomos me angazhimin permanent të subjektit politik, të cilin Xhaferi përfaqëson në Qeverinë e Maqedonisë, BDI, subjekt i cili gjithmonë është angazhuar jo vetëm për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe për njohjen dhe zhvillimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës.”, thuhet në një deklaratë.