E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut kërcënon: Do të zhdukim ata që na cënojnë

Forcat koreanojugore dhe ato amerikane pritet të nisin nesër një seri manovrash të përbashkëta ushtarake, që zhvillohen në një kohë kur Pheniani ka ndërmarrë hapa të pazakontë bashkëpunimi, duke lënë të lirë këtë muaj dy gazetare amerikane që shteti komunist i kishte dënuar nën akuzat për shkelje të paligjshme kufiri.

Koreja e Veriut i denoncon rregullisht manovrat ushtarake duke i konsideruar si përgatitje për pushtim dhe një luftë bërthamore kundër saj.

"Nëse imperialistët amerikanë dhe grupi i presidentit koreanojugor Lee Myung-bak kërcënojnë Korenë e Veriut me armë bërthamore, atëherë edhe ne do të kundërpërgjigjemi me armë të tilla", njoftoi KCNA-ja, duke cituar një zyrtar të lartë ushtarak.

"Imperialistët amerikanë dhe grupi i Lee Myung-bak duhet të kuptojnë qartë se është vullneti i hekurt dhe qëndrimi i vendosur i ushtrisë popullore të Koresë që do të veprojë në çdo rast për të zhdukur pa mëshirë agresorët", deklaroi zyrtari koreanoverior.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dislokuar afro 28,500 trupa në Korenë e Jugut për të ndihmuar ushtrinë me 670,000 trupa të këtij vendi. Ndërkohë ushtria popullore e Koresë së Veriut numëron afro 1.2 milionë trupa, por analistët ushtarakë shprehen se ushtria e keqpajisur koreanoveriore nuk mund të matet me superioritetin e forcave amerikane dhe koreanojugore.

Dy Koretë teknikisht janë ende në luftë, pasi konflikti i tyre gjatë periudhës 1950-53 përfundoi vetëm me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

Ekonomia e vendit të varfër komunist është goditur edhe më rëndë nga sanksionet ndërkombëtare, pas provës së tij të dytë bërthamore në muajin maj dhe lëshimit të një serie raketash me rreze të shkurtër veprimi.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›