Procesi i pavarësisë në GJND do jetë në favor të Kosovës
Zyrtarë nga Ministria e Jashtme kosovare shprehen se procesi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë në favor të Kosovës, përderisa pranojnë se kjo çështje po vonon njohjet e reja të shtetit më të ri në botë. Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ata të partive opozitare në Kosovë thonë së procesi i interpretimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po ndikon në njohjet e reja të shtetësisë së vendit. Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se pavarësisht kësaj, Kosova ka fituar një numër të konsiderueshëm njohjesh. Sipas saj, ky numër do të rritet edhe më shumë pas dhënies së opinionit të GJND-së për pavarësinë e Kosovës. "Të thuhet se procesi në GJND nuk ka pasur ndikim, do të ishte joserioze. Gjithsesi, edhe pas kalimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njohjet kanë shtuar. Ne, gjatë kësaj periudhe, kemi pasur shumë njohje të fuqishme nga vende të ndryshme anekënd botës. Ka edhe shtete, të cilat duan t'i respektojnë procedurat në GJND dhe kanë rezervuar qëndrimin e tyre në raport me Kosovën, derisa të përmbyllet ky proces", thotë Çitaku. Procesi i interpretimit të pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është nisur nga Serbia dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.