E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut kryen prova raketash me rreze të shkurtër

Një agjenci lajmesh e Koresë së Jugut njofton se Koreja e Veriut ka bërë dy prova të tjera me raketa me rreze të shkurtër veprimi, megjithë qendimin e fortë ndërkombëtar kundër provës së saj bërthamore dje.

Njoftimi i sotëm i agjencisë Yonhap citon pa emër burime qeveritare të cilat kanë thënë se provat u bënë në një poligon në brigjet lindore të vendit.

Koreja e Veriut bëri tri prova me raketa dje, pas provës së nëndheshme me një mjet bërthamor.

Mbrëmë vonë, në një sesion të jashtëzakonshëm, 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënuan njëzëri provën bërthamore të Koresë së Veriut. Këshilli i Sigurimit tha se po përgatitej për një përgjigje të fuqishme ndaj Phenianit, por nuk u bë e qartë se sa larg është i predispozuar të shkojë Këshilli i Sigurimit.

Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, citoi një burimi të ministrisë së Jashtme të Rusisë, sipas të cilit miratimi i rezolutave të ashpëra është i pashmangshëm, sepse tashmë është sfiduar autoriteti i Këshillit të Sigurimit.

Kina, fqinje dhe aleate tradicionale e shtetit komunist korean, u shpreh se edhe ajo është kategorikisht kundër porvës. Por Pekini u ka bërë thirrje të gjitha "palëve të interesuara" të përgjigjen "me gjakftohtësi dhe në formë të përshtashme".

Rusia dhe Kina janë dy nga pesë anëtaret e përherëshme të Këshillit të Sigurimit që kanë bllokuar më parë sanksione të forta ndaj Phenianit.//iç//


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›