E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut, kundër manovrave ushtarake

Reagimi

Koreja e Veriut ka dënuar planet amerikane dhe koreanejugore për të bërë manovra të përbashkëta ushtarake në fund të këtij muaji. Një nga delegatët koreanoveriorë është shprehur për median se këto manovra janë kërcënuese për rajonin. Komentet u dhanë gjatë një samiti rajonal për çështjet e sigurisë, ASEAN në Hanoi, në të cilin marrin pjesë ministrat e Jashtëm të SHBA-së, vendeve atë juglindjes aziatike, përfshirë Kinën dhe dy Koretë. Ri Tong-il tha se nëse Uashingtoni dhe Seuli ishin vërtet të interesuar në çarmatimin bërthamor të gadishullit, atëherë ata duhet të krijonin kushtet e duhura, në mënyrë që të rifillojnë bisedimet mes 6 vendeve. Rreth 20 anije dhe nëndetëse, si dhe 100 avionë do të marrin pjesë në stërvitjet që do të zgjasin për katër ditë rresht në detin e Japonisë, duke filluar nga dita e diel. Koreja e Veriut tha se sanksionet e reja amerikane kundër saj dhunonin deklaratën e OKB-së pas fundosjes së nëndetëses së Koresë së Jugut. Hillary Clinton i shpalli sanksionet gjatë vizitës së saj në Korenë e Jugut. Samiti do të nxjerrë në deklaratë ditën e premte për sa i përket fundosjes së anijes luftarake, “Cheonan”, në të cilën gjetën vdekjen 46 persona. Një hetim me ekspertë ndërkombëtarë njoftoi se anija ishte sulmuar me një silur të Koresë së veriut, të cilën Pyongyangu e kundërshton.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›