Koreja e Veriut, pranë ndërtimit të bombës bërthamore
Agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë e Veriut ka bërë me dije se vendi komunist ka bërë progres në pasurimin e uraniumit dhe se ndodhet fare pranë ndërtimit të bombës bërthamore. Një lëvizje që analistët e konsiderojnë si taktikë të re për të bërë presion mbi komunitetin ndërkombëtar, pas përpjekjeve të vazhdueshme të këtyre të fundit për të hequr dorë nga ambiciet e tyre në këtë fushë. Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Koreja e Veriut deklaron se është e përgatitur si për sanksionet, ashtu edhe për dialogun. Kreu i delegacionit diplomatik amerikan për Korenë e Veriut, Stephen Bosworth, tha se pasurimi i uraniumit përbën një "shqetësim" të madh. Bosworth foli nga Pekini ku ndodhet në një udhëtim në Azi për të diskutuar mënyrat që do e kthenin Korenë në tavolinën e bisedimeve. "Testet për pasurimin e uraniumit kanë kaluar me sukses dhe ky proces ndodhet tashmë në fazën përfundimtare", tha agjencia e lajmeve "KCNA", që citonte si burim një letër të delegacionit koreano-verior në kombet e bashkuara drejtuar kreut të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej kohësh dyshonin se Koreja e Veriut kishte një program sekret për të pasuruar uraniumin me qëllimin e vetëm ndërtimin e armëve bërthamore. Sipas disa ekspertëve, vendi komunist nuk ka zhvilluar asnjë program për uraniumin në shkallë të gjerë dhe se ka pluton në sasi të mjaftueshme për të prodhuar nga gjashtë deri në tetë bomba. "Mendoj se kjo rikonfirmon nevojën për të mbajtur një pozicion të koordinuar mbi nevojën e një çarmatimin e plotë dhe të verifikueshëm të gadishullit korean", tha Bosworth pas një takimi me përfaqësuesit kinezë. Koreja e Veriut pohon se hapat e ndërmarrë së fundi janë një përgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga ana e OKB-së. Mbi këtë vend, aktualisht rëndojnë sanksionet e OKB-së për shkak të programit bërthamor të vendit. Kombeve të Bashkuara, delegacioni amerikan që në këtë moment kryeson Këshillin e Sigurimit, i ka bërë me dije se ka marrë letrën koreano-veriore dhe se ua ka shpërndarë 14 anëtarëve të tjerë të këshillit. Sanksionet e OKB-së kanë goditur tregtinë e armëve të vendit aziatik, një nga produktet kryesore të eksportimit në vend. Nga ana tjetër, Koreja e Jugut e përshkroi lëvizjen e Phenianit si të patolerueshme dhe e akuzoi për kërcënime dhe provokime të reja. Seuli tha se po përgatitej për një reagim të ashpër.