E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO godet talebanët 90 persona humbin jetën

Rreth 90 persona mendohet se kanë humbur jetën në veri të Afganistanit nga një sulm ajror i NATO-s kundër dy autocisternave me karburant të rrëmbyera nga talebanët. Raketat e lëshuara përmes ajrit kanë provokuar një shpërthim gjigant që ka vrarë dhjetëra talebanë, por sipas burimeve të policisë ka vrarë edhe një numër shumë të madh banorësh në fshatrat përreth që mundoheshin të merrnin naftë prej cisternave. Shumë prej viktimave mendohet se janë fëmijë. Bilanci i viktimave dhe dinamika e sulmit ende nuk janë shumë të qarta. Tragjedia ka ndodhur në provincën Kunduz, në veri të vendit në rrugën kryesore për Baghlan, shtatë kilometra në juglindje të qytetit. Sipas raportimeve të NATO-s, talebanëve, policisë dhe autoriteteve lokale, rebelët sekuestruan dy autocisterna me naftë që furnizonin forcat e NATO-s. Një prej shoferëve ka deklaruar se talebanët kanë gjymtuar dy kolegë të tij. Në lumin Kunduz, në rrethinat e fshatit Omar Khel, një prej kamionëve është rrëzuar prej talebanëve. Rebelët, sipas dëshmitarëve, i kanë thënë popullsisë së zonës që të marrin naftën nga autocisternat. Pikërisht në këtë moment, kur njerëzit ishin drejtuar drejt kamionëve ka ndodhur edhe sulmi. Avionët e NATO-s kanë shkatërruar dy cisternat dhe shpërthimi ka vrarë gjithë njerëzit që gjendeshin përreth mjeteve. Sipas autoriteteve të kësaj province, të vdekurit janë 90, pjesa më e madhe e të cilëve talebanë, por edhe civilë, mes të cilëve shumë fëmijë. Një tjetër burim anonim nga policia flet për 40 civilë mes viktimave të karbonizuara. Kreu i policisë provinciale, Rasaq Yaqubi, ka dhënë shifra më të sakta: 81 të vdekur, 56 prej të cilëve rebelë dhe 25 "hajdutë". NATO, nga ana tjetër, ka deklaruar se viktimat ishin talebanë, por ka pranuar se kanë nisur hetimet pas informacioneve se në vendngjarje ishin të pranishëm edhe shumë civilë. "Bëhet fjalë për një bombardim ajror nga forcat ndërkombëtare të asistencës për sigurinë", ka deklaruar një prej zëdhënësve të saj. Sipas versionit të NATO-s ka pasur vetëm 56 viktima, të gjithë talebanë dhe asnjë civil. Por, një hetim më i thelluar është premtuar nga sekretari i përgjithshëm i saj, Anders Fogh Rasmussen. "Populli afgan duhet të jetë i ndërgjegjshëm se ne kemi detyrimin t‘i mbrojmë dhe se do të hetojmë menjëherë mbi këtë ngjarje të rëndë. Nuk është e sigurt se çfarë ka ndodhur. Dihet vetëm që ka pasur një sulm të ISAF kundër talebanëve, ku një pjesë e tyre mbetën të vrarë. Nuk përjashtohet mundësia që të kenë vdekur edhe civilë". Edhe i dërguari special i OKB-së në Afganistan ka deklaruar se Kombet e Bashkuara do të dërgojnë në vendin e aksidentit një grup investigues dhe se familjet e dëmtuara të civilëve do të marrin gjithë ndihmën e nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›