Koreja e Veriut realizon provën e dytë bërthamore. Reagon e gjithë bota
Koreja e Veriut lëshoi sot dy raketa të tjera me rreze të shkurtër veprimi, njoftoi agjencia koreanojugore e lajmeve Yonhap, vetëm disa orë pasi Pheniani bëri të ditur se kishte kryer me sukses një provë bërthamore. Koreja e Veriut kishte lëshuar më parë edhe një raketë tjetër me rreze të shkurtër veprimi nga bregdeti i saj lindor, njoftoi agjencia Yonhap.
Reagime
BE dënon ashpër provën e Koresë së Veriut
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana dënoi sot ashpër një provë bërthamore të Koresë së Veriut, duke deklaruar se ky akt cënon rëndë paqen dhe sigurinë rajonale në Azinë Verilindore. "Këto akte të papërgjegjshme të Koresë së Veriut përligjin një përgjigje të vendosur të komunitetit ndërkombëtar. Bashkimi Evropian do të jetë në kontakt me partnerët e tij për të diskutuar lidhur me masat e duhura kundër këtyre akteve", nënvizoi Solana përmes një deklarate. Prova bërthamore ishte një "shkelje flagrante" e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vijonte deklarata e Solanës. Koreja e Veriut zhvilloi sot një provë të nëndheshme bërthamore, duke shtuar tensionet Azinë Lindore dhe duke nxitur anëtarët e Këshillit të Sigurimit të kërkojnë zhvillimin e një mbledhjeje emergjente.
SHBA
Presidenti Barak Obama deklaroi se prova bërthamore dhe lëshimi i një rakete me rreze të shkurtër veprimi nga Koreja e Veriut janë "një shqetësim serioz për të gjitha vendet". "Koreja e Veriut po provokon komunitetin ndërkombëtar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe tërësisht të pamatur. Sjellja e Koresë së Veriut rrit tensionet dhe minon stabilitetin e Azisë Verilindore", tha Obama përmes një deklarate.
Britania e Madhe
Kryeministri britanik Gordon Broën e dënoi ashpër provën bërthamore të Koresë së Veriut."Ky akt cenon perspektivën e paqes në gadishullin korean dhe nuk i shërben aspak sigurisë së Koresë së Veriut. Komuniteti ndërkombëtar do ta konsiderojë Korenë e Veriut si një partner, nëse vendi komunist sillet në mënyrë të përgjegjshme. Dhe nëse nuk ndodh kështu, atëherë duhet të presin izolimin e mëtejshëm të vendit të tyre”, deklaroi Broën, duke shtuar se prova bërthamore dhe lëshimi i një rakete nga Koreja e Veriut janë "akte të gabuara dhe të rrezikshme për botën".
Kombet e Bashkuara
Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me provën bërthamore, deklaroi ambasadori rus pranë OKB-së, Vitaly Churkin, i cituar nga agjencia e lajmeve Itar-Tass.
Franca
Franca dënoi me forcë provën bërthamore të Koresë së Veriut dhe paralajmëroi se do të kërkonte forcimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Phenianit. "Gjatë orëve të ardhshme, Franca do të konsultohet partnerët e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në rajon lidhur me pasojat e këtij akti serioz të Koresë së Veriut dhe në vçanti për forcimin e sanksioneve", deklaroi Ministria e Jashtme franceze.
Japonia
Prova bërthamore është e papranueshme dhe përbën një shkelje të rëndë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha zëdhënësi i parë i qeverisë japoneze. Ndërsa sekretari i Kabinetit, Takeo Kaëamura tha se Japonia do të kërkojë miratimin e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit. Agjencia e lajmeve "Kyodo" tha se Japonia po shqyrton mundësinë për forcimin e sanksioneve të saj kundër vendit komunist.
Koreja e Jugut
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung-bak thirri një mbledhje urgjente të qeverisë së tij lidhur me provën bërthamore të Phenianit.
Rusia
Ushtria ruse deklaroi se testi bërthamor kishte një forcë rreth 20 kiloton, deklaroi një burim nga ministria e Mbrojtjes ruse i cituar nga agjencia Itar-Tass. Një kiloton është i barabartë me 1000 tonë TNT. Rusia është shqetësuar nga njoftimet lidhur me provën bërthamore, deklaroi ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov i cituar nga agjencia Interfax.
Kina
Edhe pse Kina ende nuk ka reaguar në mënyrë publike, prova e sotme bërthamore e Koresë së Veriut pritet të shkaktojë zemërimin e Pekinit. Por, Kina nuk pritet të mbështesë vendosjen e sanksioneve më të forta ndërkombëtare, deklaruan analistët kinezë. Liderët kinezë mund të tregohen më të kujdesshëm për të balancuar zemërimin e tyre, pasi druhen se një reagim i ashpër mund të nxiste Phenianin të tërhiqej përfundimisht nga bisedimet gjashtëpalëshe të çarmatimit bërthamor, vlerësoi një ekspert kinez.
Australia
Ministri i Jashtëm, Stephen Smith tha se testi ishte një provokacion. "Testi i nëndheshëm bërthamor i Koresë së Veriut, meriton një ndëshkim dhe dënim që duhet të reflektohet në të gjithë rajonin dhe në të gjithë botën", tha Smith gjatë një seance parlamentare.
...