E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Berisha dhe i paemri - përballja e vërtetë e 28 qershorit

Përsiatje

Unë: Sali Berisha
Ai, koka e falur e të cilit nuk mund të pritet më!
Dhe i gjithë ai fjalim i madh, shpalosës i një ëndrre të besueshme, nuk e përmendi as për një dekikë të vetme, Edvin Ramën. Sepse ky individ iu shmang djallëzisht një ballafaqimi elektoral. I mbeti vetëm ambicia tinëzare: të bëhej i dypushtetshëm, hem kryeministër, hem kryebashkiak, por pa ballafaqim zgjedhor! Iu shmang, pra, votës së sovranit popull. Gjë e pangjarë në hapësirën demokratike të rruzullit.
Partia më e madhe opozitare, pa një kryetar të zgjedhur! Një risí, por jo në kuptimin e saj të lumnueshëm. Madje në një kuptim tronditës: në atë të të dorëzuarit. E këtij të fundit nuk i pritet koka. Prijësi i koalicionit të djathtë, e la në mjerimin e vet: nuk ia vlente t’i përmendej as emri! Një stigmë më tepër në atë që dihet, tashmë: se socialistët tanë, me përjashtim të atyre që nuk mund të quhen mëkatarë, kanë të ngërthyer, brenda nënvetëdijës së tyre, nostalgjinë për Enverin. Është thelbi i hipokrizisë së tyre. Flasin për demokracinë, janë “të dhembshur” për pronën e grabitur e për ish-të përndjekurit politikë, por janë nostalgjikë ndaj diktaturës. Ata janë, në të vërtetë, antipronë; sepse kanë vënë dorë në pronat e pronarit të ligjshëm: përbëjnë aradhen e “pronarit të ri”. Bënë një Institut “integrimi”, të cilin ish-të përndjekurit e quajtën, me ironi të hidhur,  një zyrë çintegrimi. Në intimitet, - madje edhe hapur, - siç ka ndodhur, - shprehen: “Kur s’ju rropëm të gjallë!”.
E tani kërkojnë votat e ish-pronarëve të ligjshëm dhe votat e ish-të përndjekurve politikë!
Flasin për të varfrit. Por as ata që sapo përmendëm s’u besojnë. Do të zhdukin varfërinë(!), do ta bëjnë fshatin si qytetin(!). Por fshatarët nuk i besojnë demagogjisë së Ramës. Tetë vite të rënda e mbajtën pushtetin, me “zgjedhje” të falsifikuara. Përse s’i bënë atëherë ato që i premtojnë sot me aq kollajllëk, kur ne i pamë gjatë të tetë vjetëve se ç’bënë: për energjinë elektrike të munguar; për listat e mjerimit, të marrjes hua të bukës - që e patën zanafillën në kohën e tyre; - për ujët e pishëm, që mungonte sikur të ishim në Saharà; për Tiranën e betonizuar; për rrugët e saj tërë pluhur e gropa, që vazhdojnë edhe sot mu në qendër të kryeqytetit; për ndotjen e mjedisit, të cilin eksperti Guri e quan më skandalozin ne Europë e në Ballkan.
Këto refleksione na përftohen nga fjala mbresëlënëse e Dr. Berishës, e cila filloi e mbaroi me duartrokitje, edhe jashtë sallës, ku njerëzit e dëgjonin fjalën në sheshin jashtë ndërtesës, përmes altoparlantëve.
Ky i paemri zgjon përsiatje të shumta edhe në blerjen e medieve me paratë që i ka me bollëk nga licencat ndërtimore, që ua jep: 70 % të tyre, dy firmave (Eftimi-Shkreli) dhe vetëm 30 % të tyre, 500 firmave të tjera! Kështu pesha e korrupsionit e ka bërë të quhet tani jo më 15 %-shi, por 20 %-shi, në mos më tepër. Folëm për mediet që i ka në dispozicion. Janë këto që u ofrojnë faqet e tyre Nexhmijes dhe kujtimit të Enverit. A përmenden më në Rumani, të themi, Çaushesku dhe Jelena? A përmendet në Gjermani Hitleri? Ky njeri, të cilin Berisha nuk denjon ta zërë me gojë, është stimuluesi numër një i nostalgjisë, me ato që ka bërë në Pezë dhe me mediat e veta që ia bëjnë si pa të keq apologjinë E. Hoxhës, përmes demagogjisë së “Gruas së Djallit”. Po as “Gruaja e Zezë” nuk ka kurajën ta zërë në gojë Stalinin, idhullin e bashkëshortit të saj.
Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe këtë e di gjysma e shqiptarëve, së paku. Stalini ka qenë antishqiptar. Këtë e dinë mirë si Ramizi, që ka pohuar thënien e Stalinit kundër Shqipërisë, ashtu edhe Nexhmija, që thotë se i di thëniet e Milovan Gjilasit e të Eduard Kardeljit, që të mos përmendim edhe Mosha Pijaden. Në rrjedhën logjike, ajo nuk dëshiron ta thotë vetë atë “gëlltitjen” në gojën e Stalinit, sepse Enveri do të dilte menjëherë antikombëtar, si ithtar i një antishqiptari! Por përse nuk u bë, atëherë destalinizimi, në mesin e viteve pesëdhjetë të  shekullit të kaluar, kur Stalinin e mallkuan edhe ata ndaj të cilëve Stalini nuk kishte yshtur shtete të tjerë të Kampit Socialist për t’i gëlltitur, siç kishte bërë për Shqipërinë?
Kështu edhe i paemri del antikombëtar dhe biri i denjë i atij që firmoste dënimet me vdekje ndaj shqiptarëve të pafajshëm!
Secili ka nxjerrë refleksionet e veta nga injorimi që i bëri, në mënyrë ekspresive, Dr. Berisha, një njeriu pa identitet! Unë dhashë disa nga përshtypjet e mia. Secili ka të vetat. Të gjitha së bashku përbëjnë një të tërë të padyshimtë: person i padenjë. . .

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›