E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë punimet në njërin prej dy tuneleve të Kalimashit

Në ora 06:00 të mëngjesit të sotëm, u bashkuan dy pikat e tunelit të Kalimashit, vepra më e madhe inxhinjerike në Shqipëri


Plot pas dy vjetësh nga fillimi i punimeve për dy tunelet e Kalimashit, vepra më e madhe inxhinjerike që po ndërtohet në Shqipëri, pjesë e autostradës Durrës- Kukës, njëri prej tyre tashmë ka përfunduar plotësisht. Tuneli 5,6 kilometra i gjatë, i ndërtuar në një terren të vështirë malor në verilindje të vendit, dhe me shpejtësinë më të madhe, tashmë është i hapur. "Një plasje e fuqishme në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm bashkoi dy anët e njërit tunel në Kalimash, gjë që konfirmon bashkimin e dy anëve të tunelit”, bënë të ditur burime zyrtare të kompanisë "Bektel- Enka", e cila po merr masat për festën që do të organizohet sot me punëtorët aty, pranë tunelit, ku pritet të jenë të pranishëm dhe autoritete të larta të shtetit. Jo pak njerëz ishin skeptikë para dy vitesh nëse do të arrihej të ndërtoheshin për dy vjet 2 tunelet më të mëdhenj në Ballkan, secili me gjatësi 5,6 kilometra, me lartësi 10 metra dhe gjerësi 13 metra. Gjithçka nisi fiks dy vjet më parë, në 25 maj 2007, rreth orës 16, kur u krye plasja e parë që shënoi fillimin e punimeve për ndërtimin e tunelit pas një pune përgatitore nisur me kohë.  Njëri prej pjesëmarrësve në atë ngjarje, inxhinieri Muhamet Elezi, i cili ishte supervizor, kujton sot me kënaqësi. "Disa ditë u punua për përgatitjen e plasjes së parë, me masa sigurie, kontroll i sasisë së dinamitit, sigurimi i mjeteve, etj. Ishte një ditë me diell dhe të gjithë, specialistë dhe shumë punëtorë ishim të pranishëm. Realizimi i plasjes së parë i ishte besuar turkut Ali Carkrri. Tek të gjithë të pranishmit emocionet ishin të mëdha, veçanërisht te Aliu, i cili gjithë kohës i shihte të gjithë në sy. Ishte plasja e parë që do të shënonte fillimin e një pune që do të zgjaste 2 vjet. Çdo plasje e realizuar bënte të avancohej rreth 1,5 metra, por edhe kjo varej nga fortësia e gurit", kujton Elezi.


Punime me ritme të përshpejtuara janë përqëndruar dhe në tunelin tjetër të kësaj autostrade që parashikohet të hapet në muajin shtator. Kompania "Bektel - Enka" ka rritur ritmet e punimeve dhe në sektorë të tjerë si përfundimin e 29 urave të këtij segmenti rrugor me gjatësi prej 60,4 kilometra si dhe në procesin e asfaltimit. Gjatë 2 viteve të fundit "Bektel - Enka" në dy sektorët e saj punësoi rreth 3400  punonjës, shumica shqiptarë. Në funksion të vazhdimit normal të punës u vunë mbi 1300 mjete të llojeve të ndryshme. Autostrada Durrës- Kukës , një projekt i qeverisë shqiptare, është vepra më e madhe inxhinjerike në Shqipëri. Një vit më parë, gjatë inspektimit të punimeve në këto tunele, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se "mendimi i parë që të vjen në mendje është se malet nuk ndajnë më kombin, nuk i ndajnë më shqiptarët. Udhëtimi tek tunelet të rikujton legjendat e shkrirjes së maleve, pasi këto janë punime të përmasave gjigande, të cilat kanë bërë që 'aorta' e shqiptarëve të mbartë një famë në mbarë Europën, si kryevepër e njeriut". Ai e konsideroi këtë rrugë "si mrekullinë më të madhe shqiptare të kohërave në fushën e ndërtimit".


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›