Koreja e Veriut, teston 7 raketa

Koreja e Veriut ka zhvilluar një tjetër test për hedhjen e shtatë raketave, pikërisht në ditën e përvjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas agjencisë koreanojugore të lajmeve Yonhap, e cila citonte burime qeveritare të Seulit, dy raketat e para balistike janë lëshuar rreth orës 08:00, të orës lokale ose 01:00 me orën tonë. Raketat ishin të tipit Scudo, me një rreze veprimi të vlerësuar për rreth 500 kilometra. Rrjedhimisht, në një distancë prej pak orësh, janë hedhur dhe dy raketa të tjera të të njëjtit tip, nga një bazë pranë Uonsanit, në provincën e Ganguonit. Raketat kanë rënë në detin e Japonisë pasi kanë përshkruar një distancë prej rreth 400 kilometrash. Ndërkohë, hedhja e një rakete të pestë me rreze të shkurtër veprimi është njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut, e cila shpjegon që raketa është shpërthyer rreth orës 14:50, sipas asaj lokale dhe 7:50 sipas orës tonë. "Testi i raketave të Phenianit më datë 2 korrik është bërë nën petkun e stërvitjeve ushtarake rutinë, por sot duket se iniciativa ka një natyrë politike, duke marrë në konsideratë faktin se bëhen ditën e pavarësisë së SHBA-së", ka lajmëruar burimi i agjencisë koreanojugore të lajmeve. Gjatë javëve të kaluara ka patur raportime të shumta nga ana e shërbimeve të inteligjencës ndërkombëtare për përgatitjen e një testi të ri raketash nga ana e Phenianit, pas hedhjes së një vektori me rreze të gjatë veprimi që u ndërmor në muajin prill e që u pasua më tej me të tjera hedhje. Shteti komunist i Koresë së Veriut është goditur nga sanksione të reja nga OKB-ja sipas rezolutës 18 74 të aprovuar nga Këshilli i Sigurimit si përgjigjje e eksperimentit të dytë bërthamor të 25 majit të kaluar. Phenianit i është ndaluar veç të tjerash edhe tregtia e armëve.