Koreja e Veriut teston raketën pas një prove bërthamore
Një njoftim i medias koreanojugore thotë se Korea e Veriut ka bërë një provë me raketë me rreze të shkurtër veprimi vetëm pak orë pas njoftimit të Penianit se ka kryer një provë të nëndheshme bërthamore.
Agjencia e lajmeve Yonhap tha se njoftimi për provën me raketë kishte ardhur nga një burim i Koresë së Jugut.
Më parë, Koreja e Veriut deklaroi se prova e saj bërthamore e së hënës ishte më e fuqishme se sa prova e parë që kreu ky vend rreth 2 vjet e gjysmë më parë.
Agjencia koreanoveriore zyrtare e lajmeve KCNA tha se prova ishte pjesë e masave për të fuqizuar vetmbrojtjen e vendit.
Presidenti jugkorean, Li Mjun Bak thirri një takim të ngutshëm të kabinetit lidhur me këtë provë.
Njoftimi për provën bërthamore tronditi gjithashtu tregjet financiare të Koresë së Jugut, ku indeksi kryesor i bursës ra 4 përqind.
Zyrtarët amerikanë dhe ata të Koresë së Jugut thanë se kishin diktuar një lëkundje në Korenë e Veriut pak para orës 10 të mengjesit.
Por zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thanë se nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë menjëherë se fjala është për një provë bërthamore.
Muajin e kaluar, Koreja e Veriut kërcënoi se do të filloi punën e ripërpunimit në kompleksin bërthamor të Yongbyon-it të cilin më parë e kishte mbyllur.
Ky vendim erdhi si kundërpërgjigje ndaj kritikave të komunitetit ndërkombëtar për lëshimin nga Koreja e Veriut të një rakete në muajin prill, që sipas Penianit synonte dërgimin e një sateliti në hapësirë.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera besojnë se kjo ishte një provë për lëshimin e një rakete balistike.