E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini i pashpresë u kthehet ëndrrave për votime me çertifikata

Opozita vijoi edhe dje me kontestimin e procesit të pajisjes me pasaporta elektronike dhe kërkoi zyrtarisht kthimin e votimit me çertifikata, por kreu i demokratëve të kryeqytetit deklaroi se në zgjedhjet e 28 qershorit do përdoren si mjete identifikimi vetëm dy dokumente; pasaporta dhe letërnjoftimi elektronik

TIRANE - Mazhoranca përjashton në mënyrë kategorike mundësinë e votimit me çdo dokument tjetër përveç kartave elektronike të ose pasaportat. Kjo është rikonfirmuar dje nga kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike për Tiranë, Aldo Bumçi që e konsideroi kthim mbrapa për standardet e zgjedhjeve rifutjen në skenë të certifikatave ose të ndonjë dokumenti alternativ identifikimi, siç kërkuan dy ditë më parë socialistët përmes Kastriot Islamit. Bumçi theksoi se selisë rozë nuk iu imponua përcaktimi në kod i letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave, si mjetet e vetme të votimit.
“Këtë radhë do përdoren vetëm dy dokumente, pasaporta dhe letërnjoftimi elektronik. Pra, për këtë arsye kishte një konsensus të gjerë që çertifikata duhet të dalin jashtë loje dhe nuk ka arsye të përdoren më certifikatat për sa kohe procesi i kartave po ecën shumë mirë. Ne në Shqipëri nuk kemi dokumente të tjera, fatkeqësisht Partia Socialiste filloi një proces kur ishte në qeverisje për të prodhuar dokumente votimi dhe një proces që e dimë që përfundoi në dështim të plotë”, u shpreh Aldo Bumçi.
Kreu i demokratëve të kryeqytetit dhe një ndër kandidatët për deputet të Tiranës, përballë skepticizmit të PS-së për elementët e sigurisë së kartave të identitetit i bën thirrje qytetarëve të aplikojnë për të deri në 18 qershor.
Ndërkaq edhe dje përfaqësues të Partisë Socialiste në vend të bashkëpunimit dhe
kontribuimit në këtë proces ka zgjedhur sërish kontestimin e tij dhe hedhjen e
akuzave në drejtim të administratës vendore.
Problemet e pretenduara ndërkohë janë bërë prezent në zyrat e OSBE, të cilët gjithashtu kanë ndjekur situatën nga afër pas denoncimit nga strukturat e Partisë Socialiste. Vetëm dy ditë më parë selia rozë ka kontestuar procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e reja të identitetit duke kërcënuar sërish me bllokimin e procesit zgjedhor. Deputeti socialist Kastriot Islami duke iu referuar një emisioni investigativ televiziv pretendoi dhje se ky proces është” jolegjitim, i manipuluar dhe selektiv.
Këto akuza u hodhën menjëherë poshtë nga Ministria e Brendshme zëdhënësi i së cilës, Fatmir Konja tha se ky institucion i ka dërguar në mënyrë periodike përfaqësuesve të Partisë Socialiste informacion të detajuar që nga fillimi i procesit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›