Kryeministri Berisha premton se ligji për ndalimin e shpenzimeve, do të bëhet para zgjedhjeve

Qeveria, administrata dhe parlamenti do të dorëzojnë privilegjet
Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se shpenzimet e administratës do të shkurtohen edhe më ndjeshëm mandatin e dytë të qeverisë demokratike. Shpenzimet, kryeministri i cilësoi si një problem, zgjidhja e së cilës do të jetë një zotim elektoral me firmën e gjithsecilit kandidat para qytetarëve shqiptarë. “Tani duhet shtruar një problem i cili do të jetë zotim elektoral me firmën e gjithësecilit para qytetarëve shqiptarë. Do të dorëzojmë privilegjet që nuk na takojnë. U premtova shqiptarëve një qeveri të vogël. Nëse katër vite më parë gazetat flisnin për bodyguard, kjo nuk ndodh më për faktin se ne e rrëzuam në një mënyrë maksimale. Aty ku ishin 39 sot janë 9. A kemi probleme për të zgjidhur? Sigurisht. Kemi një standard të papranueshëm dhe ky është i veturave, të cilit do t’i japim fund, si qeveri, si administratë, parlament. Kërkoj mbështetjen tuaj, unë do të bëj ligjin para zgjedhjeve. Se të kemi ne privilegje më shumë se deputeti austriak. Ju dhe çdo zyrtar i këtij vendi do t’i krijohet çdo mundësi udhëtimi, por veturat shtetërore dhe veturat do të jenë me pikatore. Ju them se nëse nuk do të kishim marrë këtë trend gjatë këtyre viteve, se si t’i reduktojmë shpenzimet, realizimet për të cilat krenohemi ne do të ishin në letër. Jo se këto përbëjnë shuma gjigande, por përbëjnë një moral shumë të madh, për të cilin ka nevojë administrate e këtij vendi. Kam besim se do të më mbështesni dhe zotohem se qeveria e ardhshme dhe parlamenti i ardhshëm do t’i përmbahet kësaj. Po ecim drejt standardeve të bardha të europës. Kështu që unë e nisa me këtë por në vijim ju do jeni autorë të reformave më të mëdha e një zhvillimi të fuqishëm”, u shpreh kreu i qeverisë.