Rama përdor si kamikaz Veliajn për të sulmuar Berishën dhe Nanon
Kryesocialisti, fushatë në Bilisht
TIRANE - Një parti e re me probleme me listat zgjedhore, një forcë politike e porositur nga lart që dëshmon simptoma të panumërta të politikës së vjetër këtë herë jo të skenës politike në tërësi por të lëvizjes MJAFT. Si të ishte disa vite të shkuara në drejtimin e OJF-së në fjalë, kreu i G 99-ës Erion Veliaj ka derdhur dje përgjatë punimeve të Konventës së Parë Kombëtare të kësaj partie vrer kundër dy politikanëve që kanë dominuar skenën politike në 20 vitet e fundit në të majtë dhe në të djathtë.
Duke mohuar gjithçka dhe duke premtuar në vija të përgjithshme nevojën e një politike të re Veliaj argëtohej në sallën e pallatit të sportit ”Asllan Rusi” duke shqiptuar një mori fyerjesh ndaj kryeministrit dhe ish-kryeministrit të vendit, natyrisht për llogari të kryesocialistit Edi Rama, i cili për hir të “politikës së re” kërkon që jetë së paku në publik i alienuar ndaj një linguazhi kaq banal.
Ndërkaq kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar turin e takimeve në Bilisht. Ai premtoi gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ndryshimin e shumëpritur “që nga tryeza e bukës deri tek cilësia e jetesës”.
Kryesocialisti premtoi se PS nuk do të lejojë më që Shqipëria të zvarritet, por do të ecë me ritme të reja dhe me zhvillim të ri. Kreu socialist tha se Shqipëria përballet me dy realitete, një që ka mundësi të mjekohet dhe një që nuk merr as shërbimin shëndetësor elementar. Duke u ndalur po në këtë fushë, Rama premtoi ngritjen e një shërbimi shëndetësor universal që do të shërbejë për të gjithë, pavarësisht kontributeve të paguara ose jo të sigurimeve shëndetësore.