Koreja e Veriut tremb perëndimin
Vendet perëndimore janë ndjerë të rrezikuara dhe kanë reaguar ashpër ndaj provës bërthamore nëntokësore që kreu dje Koreja e Veriut. Agjencia zyrtare koreano-veriore e lajmeve tha se prova u krye sot (dje). Sipas VOA-s, sizmologët në Shtetet e Bashkuara dhe në Korenë e Jugut thanë se kishin diktuar një lëkundje në Korenë e Veriut pak para orës 10:00 të mëngjesit. Presidenti jugkorean, Li Mjun Bak thirri një takim të ngutshëm të kabinetit lidhur me këtë provë. Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thanë se nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë menjëherë se fjala është për një provë bërthamore. Muajin e kaluar, Koreja e Veriut kërcënoi se do të fillojë punën e ripërpunimit në kompleksin bërthamor të Yongbyon-it, të cilin më parë e kishte mbyllur. Ky vendim erdhi si kundërpërgjigje ndaj kritikave të komunitetit ndërkombëtar për lëshimin nga Koreja e Veriut të një rakete në muajin prill, që sipas Penianit synonte dërgimin e një sateliti në hapësirë.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera besojnë se kjo ishte një provë për lëshimin e një rakete balistike. Duke folur në Uashington, Obama theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime ndaj programit bërthamor të Penianit. “Kjo provë është një shkelje e hapët e ligjit ndërkombëtar, duke përbërë një kërcënim të rëndë për paqen dhe sigurinë në botë”. Agjencia zyrtare e lajmeve, (Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, KCNA) thotë se arma e fundit ishte shumë më e fuqishme nga ajo e testuar në tetor të vitit 2006. Muajin e shkuar Koreja e Veriut u tërhoq nga bisedimet gjashtëpalëshe rreth programit të saj bërthamor. Testi i Koresë së Veriut ka alarmuar fqinjët. Japonia tha se do të kërkonte një mbledhje urgjente të KS të OKB-së, ndërkohë që Koreja e Jugut krijoi një ekip krize dhe nisi bisedimet urgjente. Një zëdhënës për shtabin e ushtrisë tha se trupat janë vendosur në gjendje më të lartë gatishmërie. Ndërkaq Britania tha se prova shkelte rezolutat e OKB-së.