Shqipëria bind vendet islamike për Kosovën
Shqipëria me ndihmën e Arabisë Saudite ka arritur fitoren e parë diplomatike në konferencën e vendeve islamike. Dje në Damask, për herë të parë, konferenca miratoi një rezolutë që indirekt i dikton vendeve islamike të njohin pavarësinë e Kosovës. Diplomacia shqiptare, e përfaqësuar në konferencë nga vetë ministri i Jashtëm, Basha, ishte ajo që hartoi rezolutën dhe që fitoi betejën e parë direkte me Beogradin. Në tekstin e rezolutës theksohet qartë se vendet islamike të konferencës njohin zhvillimin e Republikës së Kosovës pas 17 shkurtit. Kosova ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike, ka Kushtetutën e saj moderne, ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm që në sesionet e radhës të ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në agjendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Lajmet serbe se rezolutës i është hequr fjalia në të cilën konferenca i bën thirrje vendeve islamike për njohjen e pavarësisë, bien ndesh me tekstin e rezolutës ku theksohet se njihen arritjet e Kosovës pas 17 shkurtit 2008. Pra, pas pavarësisë. Sipas të dhënave, rezoluta ka vlerësuar zhvillimet dhe progresin e Kosovës pas pavarësisë, ka përshëndetur rikonfigurimin e UNMIK-ut, shtrirjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën, ndërkaq i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë zhvillimin e Kosovës.
Sidoqoftë, beteja për miratimin e rezolutës ka të paktën tre muaj që zhvillohet nën tavolina. Tirana zyrtare, ajo që propozoi rezolutën, ka lobuar fort me Arabinë Saudite dhe vende të tjera islamike për miratimin e saj. Por edhe serbët kanë lobuar me vende të tjera si Egjipti, apo edhe vetë Siria për moskalimin e rezolutës. Kjo u bë evidente gjatë vizitës së dy javëve më parë të ministrit të Jashtëm, Jeremiç, në Damask dhe takimeve të tij me autoritetet më të larta të Sirisë, e cila mbante presidencën e radhës së OKI-t. Jeremiç ka kërkuar bllokimin e rezolutës dhe pjesëmarrjen e Serbisë me të drejtën e fjalës, duke pretenduar madje edhe marrjen e statusit të vëzhguesit. Ndërkohë pengesa tjetër ka qenë mospranimi nga ana e Sirisë të Kosovës në konferencë. Kjo e fundit ka qenë shkaku që përfaqësuesit e diplomacisë kosovare të mos ishin dje në Damask. Sipas RTK-së, Ministria e Jashtme e Kosovës që herët ka bërë kërkesë për pjesëmarrje. Madje, diplomacia kosovare ka pranuar që të udhëtojë edhe si delegacion i Shqipërisë, mirëpo përgjigjja ka qenë negative në të gjitha rastet.
Berisha
Kreu i qeverisë së Shqipërisë ka përshëndetur rezolutën për Kosovën. Sipas njoftimit të qeverisë, “Berisha falënderon përzemërsisht qeveritë e vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike dhe drejtuesit e kësaj organizate për votimin e kësaj rezolute, si një akt miqësor ndaj një populli mik, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar në tërësi”.
Hyseni
Në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës theksohet se, “menjëherë pas kalimit të rezolutës, ministri Hyseni është njoftuar për lajmin nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, për çka ministri Hyseni e falënderon në mënyrë të veçantë atë dhe diplomacinë shqiptare për punën e bërë rreth hartimit të kësaj rezolute si dhe të votimit të saj”.
Basha: Beogradi dështoi. Tani njohje të tjera për pavarësinë
Ministri i Jashtëm, propozuesi dhe mbrojtësi i rezolutës në vendet islamike, i ka quajtur të dështuara përpjekjet e serbëve për të frenuar miratimin. Në një intervistë të dhënë për BBC, ai thekson se në asnjë rezolutë nuk bëhet thirrje për njohje të pavarësisë, por miratimi i djeshëm njeh arritjet e Kosovës pas pavarësisë. Kjo indirekt është një thirrje apo pohim i vendeve të konferencës islamike për njohjen e Kosovës si shtet.
Cilat janë thekset kryesore të rezolutës së Organizatës së Konferencës Islamike dhe si e vlerësoni ju miratimin e saj?
Rezoluta e miratuar sot është një sukses i madh për Kosovën, për diplomacinë shqiptare dhe për përpjekjen tonë të përbashkët për njohjen e Kosovës në planin ndërkombëtar nga një numër sa më i madh shtetesh brenda një kohe sa më të shkurtër. Është rezoluta e parë që adoptohet nga Organizata e Konferencës Islamike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Me këtë rezolutë evidentohet qartë se që nga shpallja e pavarësisë, Republika e Kosovës ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike, ka kuadrin e saj modern ligjor, që i referohet qartësisht Kushtetutës së Kosovës, ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, rajon dhe më tej. Ajo u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, që të vazhdojnë ta mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike, që në sesionet e radhës të ministrave të Jashtëm të raportojnë mbi axhendën e përhershme të organizatës mbi Kosovën, duke e bërë kështu Kosovën një pjesë të vazhdueshme të axhendës së përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj rezolute me unanimitet dëshmon për një klimë të re, një moment të ri në marrëdhëniet e kësaj organizate me Kosovën. Vlen të theksohet se kjo vjen edhe pas njohjes së rëndësishme nga Arabia Saudite para disa javësh dhe njohjes nga Mbretëria e Bahrejnit dhe Unioni i Komorreve vetëm pak ditë më parë.
Zoti ministër, ka pasur njoftime se teksti i rezolutës është ndryshuar pas presioneve që ka bërë diplomacia e Serbisë në vendet anëtare të Konferencës Islamike?
Me këtë rezolutë theksohen qartësisht pikat kryesore, që pala shqiptare, propozuese e kësaj rezolute, dëshironte të evidentonte. Evidentohet shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, progresi në ndërtimin e institucioneve demokratike, Kushtetutës moderne të Kosovës, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, jepet përkrahje e plotë për rikonfigurimin e shpejtë të UNMIK-ut dhe vendosjen e EULEX-it në bashkëpunim të plotë me direktivat përkatëse të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe me qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Parë nga kjo pikëpamje, kjo rezolutë, e cila është miratuar nga 57 vende anëtare, ndonëse vetëm 13 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri tani, është një mbështetje e tërthortë, por e qartë për shtetin e Kosovës, prandaj është një sukses i jashtëzakonshëm, është një sukses shumë i madh për diplomacinë shqiptare. Pala serbe nuk i ka kursyer përpjekjet për të ndaluar miratimin e kësaj rezolute, të cilat kanë kulmuar me vizitat e nivelit të lartë të zyrtarëve serbë në vendet anëtare ku është lobuar kundër kësaj rezolute. Me sa duket dështimi për të parandaluar rezolutën është në gjenezë edhe të pretendimeve që sot ngrihen, pretendime të cilat janë tërësisht të pavërteta, pasi miratimi i sotëm i kësaj rezolute është një sukses i jashtëzakonshëm, i cili i hap rrugën një numri të madh njohjesh nga vendet anëtare të kësaj organizate.
Pra zoti ministër, ju besoni se ndonëse rezoluta nuk i bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike që ta njohin pavarësinë e Kosovës, procesi do të përshpejtohet?
Më lejoni të theksoj se kjo tezë, e cila është ngritur nga diplomacia serbe nuk qëndron. Do të keni parë që edhe rezolutat, edhe dokumentet apo deklaratat e Bashkimit Evropian, nga të cilat 22 vende e kanë njohur Kosovën, nuk bëjnë thirrje, pasi njohja në vetvete është një proces dypalësh, gjuha e përdorur në rezolutë, mbështetja që i jepet Kosovës, mbështetja unanime e kësaj rezolute nga të gjitha vendet anëtare, të cilat dëshiroj që edhe një herë t’u shpreh mirënjohjen time dhe t’i falënderoj për kontributin e tyre, është risia që sjell kjo rezolutë, është treguesi më i qartë i klimës së re që ekziston midis Organizatës së Konferencës Islamike dhe vendeve anëtare të saj me Kosovën.